Gjatë shënimeve të javës në podkastin e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te rritja e çmimit të karburantit për shkak të luftës në Iran.
Ai u shpreh se kjo rritje është e pashmangshme dhe se po ndodh në të gjithë botën.
Ai bëri me dije se Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Financave kanë ngritur një task forcë të përbashkët për rritjen e kontrolleve dhe parandalimin e çdo rritjeje abuzive.
“Jemi sot edhe për shkak të kushteve të kësaj krize të papritur, në momentin kur do finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror, me impakt në tregun e brendshëm të naftës që do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut që do ndikojnë në rritjen e transparencës së çmimit dhe do garantojë furnizimin në treg duke pasur në mbështetje një kapacitet të rëndësishëm siç është garancia sovrane.
Besoj shumë se ky do të jetë një moment kthese për të përmbushur një tjetër zotim të marrë me nisjen e mandatit të katërt që nafta që tregtohet në Shqipëri të jetë një produkt në një nivel të pandikuar kaq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare”, tha Rama.