Një moment i pazakontë që është kapur nga kamerat gjatë transmetimit të emisionit ”Opinion”, ku në fokus dyshohet se ka qenë telefoni i deputetit socialist, Taulant Balla po qarkullon në internet. Në pamjet e publikuara nga gazetari Çim Peka, shihet një bisedë me mesazhe, ku në ekran shfaqet edhe një fotografi e një ore luksoze që duket se i është dërguar atij nga një person tjetër. Sipas përmbajtjes së mesazheve që dallohen në foto, Balla e cilëson orën si “të papame”, ndërsa bashkëbiseduesi i tij i përgjigjet: “E meriton pas asaj dite”. Nuk dihet ende se kush është personi që fshihet pas dhuratës.
Biseda në telefonin e Taulant Ballës:
-Taulant Balla: Po pra është e papame
– Personi i panjohur: E meriton pas asaj dite
– Taulant Balla: Dhe do Zoti duhet të ketë të tjera
– Personi i panjohur: Ashtu të… të nisë diçka që më thuaj se kjo është e imja..
– Taulant Balla: Po
Reagimet pas mesazheve që shkaktuan bujë
Këto aludime kanë nxitur edhe një reagim të kreut të Grupit Parlamentar të PS, i cili i pyetur nga mediat, ka deklaruar se gjitha është një lajm i rremë që nuk ka aspak lidhje me të. “Është një fake news, sepse ai nuk është telefoni im”, është shprehur Taulant Balla, duke theksuar se do të kallëzojë penalisht gazetarin dhe botuesin Çim Peka, ndërsa e sfidon që të publikojë fotografinë e plotë. Politikani socialist mohon kategorikisht që fotografia të ketë lidhje me të. Aq më tepër mesazhet që pretendohet se janë shkruar prej tij dhe bashkëbiseduesit të panjohur. “Do e kallëzoj penalisht Qimin”, tha ai. “Le të nxjerrë foton e plotë dhe del kush është. Si mund të nxjerrësh një ekran celulari dhe të thuash ky që shkruan është Taulant Balla”, shtoi kreu i Grupit të PS. Ora luksoze nxiti reagime dhe nga opozita. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, reagoi rreth çmimit të majmë të dhuratës luksoze. Noka ka publikuar një foto krahasuese, duke shtuar se ora në fjalë ka një vlerë prej 30,500 dollarësh. Ai e shoqëron postimin me një koment ironik, duke shkruar se “kjo është ora që Taulant Balla ka merituar”, ndërsa shton se një aksesor i tillë “i shkon formatit socialist të Taut”.
Problemet e Ballës me SPAK
Kujtojmë se Taulant Balla i ka llogaritë e hapura me drejtësinë. Në muajin prill 2024, Balla ka qëndruar prej më shumë se 1 orë brenda SPAK. Dosja që e ka mbajtur dhe vazhdon ta përndjekë prej kohësh është ajo e aferës “Toyota Yaris”, e cila po hetohet edhe nga belgët. Janë pyetur shumë dëshmitarë dhe shkëmbyer letër-porosi mes SPAK dhe Belgjikës pikërisht për këtë çështje, por edhe për grupe të tjera kriminale të lidhura me politikën. Belgët madje kanë zbarkuar edhe në Shqipëri për të hetuar nga afër situatën. Për të avancuar hetimet, prokurorët thirrën edhe gazetarin Artan Hoxha në vitin 2022 në Belgjikë. Këto fakte i konfirmoi dhe denoncuesi i kësaj dosjeje nga Lulzim Basha, i cili ka thënë disa kohë më parë se “jam njeriu më informuar pas Ramës. Unë di më shumë se kaq. Nuk flas dot më shumë sepse dosja Toyota Yaris është në hetim. Po hetohen edhe anëtarët e mazhorancës.” Nga ana tjetër, ka akuza se Balla po hetohet nga SPAK pasi ka dalë në përgjimet e SKY ECC duke favorizuar dhe bashkëpunuar me banda kriminale. Dosja e përgjimeve e njohur si “26/1”, e cila lidhet me komunikime të dyshuara mes kreut të Grupit Parlamentar të PS, dhe eksponentëve të krimit të organizuar, ndodhet tashmë në tryezën e drejtuesit të ri të SPAK, Klodian Brahos. Bëhet fjalë për një nga dosjet më të rënda dhe më të ndjeshme për mazhorancën, e cila prej kohësh ka qenë në qendër të akuzave dhe që pritet të hyjë në një fazë vendimtare me zhvillime konkrete në vijim.