Xhixho: Taksat janë arsyeja pse kemi naftën më të shtrenjtë në rajon

Shqipëria

Xhixho: Taksat janë arsyeja pse kemi naftën më të shtrenjtë në rajon

Më: 26 mars 2026 Në ora: 19:26
Nënkryetarja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho

Nënkryetarja e Partia e Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ashpër lidhur me rritjen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri, duke e cilësuar barrën fiskale si shkakun kryesor të kostos së lartë për qytetarët.

Sipas saj, rreth 60% e çmimit të naftës në vend përbëhet nga taksat, çka e bën Shqipërinë një ndër vendet me karburantin më të shtrenjtë në rajon. Xhixho thekson se çmimi aktual prej 214 lekësh për litër mbetet “i papërballueshëm” për shumicën e qytetarëve, ndërsa shton se zgjidhja nuk qëndron tek bordet e transparencës, të cilat ajo i quan “borde të vjedhjes”, por tek ulja e menjëhershme e taksave.

Ajo nënvizon se vendet e tjera të rajonit kanë ndërmarrë masa për të lehtësuar barrën fiskale mbi karburantet, ndërsa në Shqipëri mungon një reagim i tillë nga qeveria. Sipas Xhixhos, çmimi i lartë i naftës po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, duke reflektuar në çmimet e produkteve bazë si buka, qumështi dhe djathi.

Më tej, ajo paralajmëron se situata po godet rëndë sektorë kyç të ekonomisë, si bujqësia dhe transporti, duke rritur kostot e prodhimit dhe të shpërndarjes. Në këtë kontekst, Partia e Lirisë ka propozuar prej tre javësh një projektligj për pezullimin e taksave të qarkullimit dhe të karbonit, si një masë emergjente për të lehtësuar qytetarët dhe bizneset.

“Duhet vepruar menjëherë, sepse ekonomia po shkon drejt kolapsit”, thekson Xhixho, duke i bërë thirrje institucioneve që të marrin masa konkrete për të ulur çmimin e karburanteve dhe për të frenuar efektin zinxhir në rritjen e çmimeve në treg.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat