Ish-deputeti demokrat Myslym Murrizi tha sot në emisionin “Kjo Javë” në News 24 se Gjykata e Lartë me mbledhjen e Kolegjeve të Bashkuara për të marrë vendim për masat e paraburgimit po bën vetëm politikë dhe propagandë.
Kurse për shkakun përse ky vendim dhe diskutim po bëhej tani nga ky institucion i drejtësisë, ai argumentoi se po plotësoheshin ose ishin plotësuar afatet e paraburgimit të zyrtarëve të lartë socialistë të arrestuar dhe të paraburgosur.
“Në mendimin tim Gjykata e Lartë po bën politikë. Në kaq vite Gjykata e Lartë duhet të flasë me vendime, në 13 vite nuk ka ndodhur asnjë rast që të prishte një vendim dhe ta argumentonte se kam marrë këto raste më parë, kam prishur këto vendime. Por këta nuk ndryshuan vendimet as për ata të Lazaratit, as për atë qytetarin që u kalb në burg për ndërtim. Të gjejë një vendim Sokol Sadushi apo Ilir Panda aty në Gjykatën e Lartë, ku Kolegji Penal ka prishur një vendim të një qytetari në dispropocion të masë së vendosur”, tha ai.
Dhe më tej shpjegoi përse po merrej ku vendim tani dhe jo më parë, duke sjellë edhe një shembull për lirimin e dy të arrestuarve për skandalin e “Bankers Petroleum”.
“Ka prapavijë politike kjo. Kjo bëhet se janë përmbushur disa afate paraburgimi të disa zyrtarëve të lartë socialistë të arrestuar. Para një javë jam çuditur ata të Bankers dy prej tyre, drejtuesit, administratorët, i nxori GJKKO-ja i çoi në shtëpi dhe tha se mbaroi afati i paraburgimit 9 muaj. Kur u ka mbaruar këtyre, pse nuk i mbaroi Lefter Kokës, Ilir Beqajt, që e kam edhe kundërshtar politik, pse s’i mbaroi Veliajt, Ilir Metës apo Safet Gjicit, që është absurde kjo, ose të tjerëve”, vijoi ish-ligjvënësi dhe anëtari i këshillit Kombëtar të PD-së.
Në fund ai u shpreh se kjo ishte propagandë dhe do qëndronte si objekt vetëm nëse më parë Gjykata e Lartë do kishte prishur masa sigurie apo do ishte shprehur për çështje të ndryshme, që tani ta unifikonte.
“E shoh se më shumë bëjnë politikë dhe propagandë. Çfarë ka për të bërë analizë apo për procedurë. E ka marrë ligjvënësi vendimin, masa shtrënguese e fundit është arresti me burg”, tha Murrizi.