Neni “Basha” në Statutin e PD duket se do t’ia vështirësojë rrugëtimin kryedemokratit Sali Berisha për t’u rikonfirmuar në krye të partisë në zgjedhjet e 23 majit.
Anëtarja e Këshillit Kombëtar, Alesia Balliu i është drejtuar Kryesisë së PD me anë të një shkrese duke e vënë në dijeni për, siç shprehet, konstatimin e mbarimit të mandatit të Berishë si kryetar i PDSH, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Duke iu referuar parashikimeve të nenit 46, i pagëzuar nga Berisha si neni “Basha”, kur ndryshoi Kushtetutën e partisë gjatë punimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, dhe më vonë i mori edhe drejtimin e partisë, Balliu thotë se në krye të PD duhet të komandohet Flamur Noka, në detyrën e Kryetarit të Komanduar të PDSH-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Por ajo që duket si pjesa më e rëndësishme nga të gjitha parashtrimet e anëtares së Këshillit Kombëtar të PD, Alesia Balliu, ka të bëjë me atë se çfarë mund të ndodhë me kryedemokratin në detyrë, Sali Berisha.
Balliu kërkon “ndalimin e kandidimit të shtetasit Sali Ram Berisha për pozicionin e Kryetarit të PDSH-së në zgjedhjet e datës 23.05.2026 sipas Vendimit të Kryesisë së PDSH-së nr.35 datë 17.03.2026”.