Miratimi i projektrezolutës për integrimin, Ilir Meta reagon nga burgu: E vonuar!

Shqipëria

Miratimi i projektrezolutës për integrimin, Ilir Meta reagon nga burgu: E vonuar!

Më: 14 maj 2026 Në ora: 19:03
Ilir Meta

Ilir Meta ka reaguar nga qelia pas miratimit me konsensus në Kuvend të projektrezolutës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në deklaratën e tij, Meta përshëndet miratimin e rezolutës, duke e cilësuar atë të vonuar në raport me ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit.

“Përshëndes Rezolutën e miratuar me konsensus nga Kuvendi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian edhe pse tepër e vonuar si vetë procesi i integrimit europian të Shqipërisë,” u shpreh Meta.

Ai kujtoi gjithashtu rolin e Partisë së Lirisë në zhvillimet politike të mëparshme, duke theksuar se forca që ai drejton “lindi si domosdoshmëri për të zhbllokuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit”, e cila sipas tij u realizua vetëm pas rotacionit politik të vitit 2005.

Meta  po ashtu shprehet se rezoluta duhet t’i shërbejë si një reflektimi real partive politike dhe të mos mbetet vetëm në letër.

Kujtojmë se në seancën e sotme, 14 maj, Parlamenti ka votuar me shumicë të cilësuar Projektrezolutën për integrimin e Shqipërisë në BE, ku edhe opozita ka bashkuar votat e saj.

Në përfundim projektrezoluta kaloi me 114 vota pro, vetëm 1 abstenim dhe asnjë kundër.

Ilir Meta: Përshëndes Rezolutën e miratuar me konsensus nga Kuvendi për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian edhe pse tepër e vonuar si vetë procesi i integrimit europian të Shqipërisë.

Partia e Lirisë (LSI) lindi si domosdoshmëri për të zhbllokuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, e cila u nënshkrua vetëm pas rotacionit demokratik në vitin 2005.

Në atë kohë, Shqipëria ishte shumë përpara Malit të Zi dhe Serbisë, ndërsa tani situata është krejtësisht e kundërt dhe prapambetja e Shqipërisë në procesin e integrimit është tepër kritike.

Ndaj sot është momenti për një reflektim të thellë për të rikthyer Parlamentin në kollonën mbajtëse të Republikes, të demokracisë dhe të llogaridhenies.

Uroj që kjo Rezolutë t’i shërbejë këtij reflektimi të thellë që duhet të jetë real dhe të mos mbetet vetëm në letër, pasi Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka asnjë pengesë për t’u anëtarësuar në BE përveç mungesës së plotë të vullnetit politik të deritanishëm për të garantuar respektimin e Kritereve të Kopenhagenit, zgjedhjeve të lira, demokracinë funksionale, barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike, në respekt të standardeve kushtetuese dhe europiane.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat