Rama: Një moment për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë

Shqipëria

Rama: Një moment për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë

Më: 22 maj 2026 Në ora: 14:00
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vlerësuar pritjen me ceremoni shtetërore në Japonia nga kryeministrja japoneze Sanae Takaichi, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm për forcimin e partneritetit mes dy vendeve.

Rama tha se vëmendja dhe interesi i treguar nga liderja japoneze ndaj Shqipëria përbëjnë një vlerësim të rëndësishëm për transformimin dhe progresin e vendit, si dhe për potencialin e madh të bashkëpunimit në fusha strategjike si ekonomia, teknologjia, energjia, mbrojtja dhe turizmi.

Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria mbështet pa rezerva Strategjinë e Përditësuar të Indo-Paqësorit të Lirë dhe të Hapur, duke e konsideruar atë një vizion që promovon paqen, sigurinë, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes shteteve në një rajon kyç për të ardhmen globale.

“Nder i veçantë pritja me ceremoninë e lartë shtetërore nga Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, në një moment domethënës për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit mes Shqipërisë dhe Japonisë. Vëmendja dhe interesi i saj ndaj Shqipërisë përbëjnë një vlerësim të rëndësishëm për transformimin dhe përparimin e vendit tonë, si edhe për potencialin e madh të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ky potencial u pasqyrua qartë në vullnetin e përbashkët për ta zgjeruar partneritetin në fusha me rëndësi strategjike, si ekonomia, teknologjia, energjia, mbrojtja dhe turizmi.

Shqipëria mbështet pa rezervë Strategjinë e Përditësuar të Indo-Paqësorit të Lirë dhe të Hapur, si një vizion që promovon paqen, sigurinë, lirinë e lundrimit, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes kombeve në një rajon me rëndësi vendimtare për të ardhmen e botës. Po ashtu, Shqipëria dhe Japonia ndajnë të njëjtin qëndrim të palëkundur në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus, si një sfidë ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Ishte kënaqësi e veçantë t’i përcillja Kryeministres Takaichi ftesën për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, jo vetëm për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në vendin tonë, por edhe për një takim dypalësh, me bindjen se miqësia dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Japonisë do të vazhdojnë të forcohen në vitet që vijnë”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat