“Rama jep dorëheqjen”- Mbyllet protesta e 64 kundër qeverisë! Thirrje masive për largimin e kryeministrit, qytetarët marshim dhe pankarta ironizuese: Nesër më shumë

Shqipëria

“Rama jep dorëheqjen”- Mbyllet protesta e 64 kundër qeverisë! Thirrje masive për largimin e kryeministrit, qytetarët marshim dhe pankarta ironizuese: Nesër më shumë

Më: 2 gusht 2026 Në ora: 08:45 Përditësuar në ora: 23:18 më 02.08.2026
Protesta në Tiranë

Mbyllet protesta e 64 kundër qeverisë! Thirrje masive për largimin e kryeministrit, qytetarët marshim dhe pankarta ironizuese: Nesër më shumë

Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën edhe këtë të diel në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para Kryeministrisë, duke shënuar ditën e 64 të protestës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimit, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe krijimin e një qeverie tranzitore, ndërsa e cilësuan vijimin e protestës për më shumë se dy muaj si dëshmi të pakënaqësisë së qytetarëve me qeverisjen.

Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës, pjesëmarrësit ngritën shqetësime për pensionet, rritjen e çmimeve, koston e jetesës, korrupsionin, reformën administrativo-territoriale, investimet publike dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Një pjesë e tyre kritikuan edhe hapjen e konsullatës së Serbisë në Shkodër, ndërsa të tjerë akuzuan qeverinë për keqmenaxhim dhe mungesë transparence.

Në protestë morën pjesë edhe emigrantë të ardhur nga Italia, të cilët deklaruan se i janë bashkuar tubimit për të kërkuar largimin e qeverisë. Aktivistët u bënë thirrje qytetarëve, përfshirë punonjësit e administratës publike, që t’u bashkohen protestave, duke theksuar se, sipas tyre, ndryshimet prekin të gjithë qytetarët.

Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje si “Edi Rama jep dorëheqjen” ndërsa protestuesit ekspozuan edhe pankarta me mesazhe ironizuese ndaj qeverisë.

Po ashtu qytetarët u dëgjuan të hidhnin edhe parulla kundër klasës politike, duke thënë “Rama në burg, Berisha në burg”, “PD-PS, dyshe komuniste”.

Një tjetër moment simbolik ishte shkrimi në asfalt, përpara godinës së Kryeministrisë, i frazës “Boulevard of Hope” (Bulevardi i Shpresës), ndërsa më pas protestuesit marshuan në rrugët e Tiranës me thirrje për “ndryshim sistemi” dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.

Organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ata bënë thirrje që nesër pjesëmarrja në protestë të jetë edhe më e lartë.

“O tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”- Marshimi i qytetarëve drejt kryeministrisë: Edi Rama dil në bulevard, atdheu është i yni, jo biznes privat

Qytetarët pjesëmarrës në protestën e sotme, gjatë marshimit drejt kryeministrisë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre përmes thirrjeve kundër kryeministrit Edi Rama.

Ndër sloganet e dëgjuara nga turma ishin “Edi Rama dil në bulevard, atdheu është i yni, jo biznes privat!”, “Dorëheqje!”, “O tradhtar, jep dorëheqjen!”

“Ramoviç o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, ishte një tjetër thirrje.

Sot shënohet dita e 64  e protestës qytetare, e cila nisi kundër një projekti turistik në Zvërnec, por tashmë është shndërruar në një lëvizje popullore kundër klasës politike.

“Rama nuk e ka as mbështetjen e partisë së tij”- Dita e 64 e revoltës, qytetari: Kjo proteste e deligjitimoi kryeministrin! Nuk ndalemi derisa të firmosë dorëheqjen

Një qytetar, pjesëmarrës në protestën e 64 kundër qeverisë, ka deklaruar se tubimi do të vijojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, kryeministri e ka kuptuar se nuk ka rrugë tjetër përveç largimit nga detyra, ndërsa theksoi se kreu i qeverisë nuk ka as mbështetjen e partisë së tij.

“Sot jemi prapë këtu në ditën e 64 të kësaj rezistence për të vazhduar dhe për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës. Sic duket Edi Rama e ka kuptuar se nuk ka rrugë tjetër vec dorëheqjes së tij. Ai këtë verë, këtë gusht, si cdo gusht nuk ka ikur me pushime. Ai sot kishte mbledhur partinë e tij se e ka kuptuar se nuk e ka mbështetjen e popullit, por si duket nuk ka as mbështetjen e partisë së tij”, tha protestuesi.

Protestuesi tha se tubimi ka ndikuar në legjitimitetin politik të qeverisë dhe kërkoi jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit, por edhe krijimin e një qeverie tranzitore.

“Kjo proteste e deligjitimoi kryeministrin! Nuk ndalemi derisa të firmosë dorëheqjen. Kërkojmë dorëheqjen e qeverisë së tij dhe krijimin e një qeverie tranzitore”, tha ndër të tjera qytetari.

“Do protestojmë derisa të ikë Edi Rama”- Qytetarja në ditën e 64 të tubimit kundër qeverisë: Pensionet janë të ulëta, çmimet të larta!

Një qytetare që merr pjesë në protestën e mbajtur kundër kryeministrit Edi Rama ka deklaruar se do të vijojë protestën deri në largimin e tij nga detyra.

Në ditën e 64 të protestës, ajo tha se arsyet kryesore të pakënaqësisë lidhen me vështirësitë ekonomike, pensionet e ulëta dhe rritjen e çmimeve.

“Protestojmë që Rama të dorëhiqet sa më parë. Pensionet janë të vogla, çmimet janë shumë të shtrenjta. Ilaçet i marrim veresi. Unë 150 mijë lekë marr, ku ti çoj më parë këtu lekët? Edi Rama të ikë sa më parë, mos të na lodhë ne”, tha qytetarja, e cila theksoi se “do protestojmë derisa të ikë Edi Rama”.

Emigranti nga Italia ‘shpërthen’ ndaj Ballës: Nëse ne jemi sorra, ti je krimb, e ke qelbur këtë vend

Një emigrant i ardhur nga Italia, pjesëmarrës në protestën kundër qeverisë, ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se ai nuk përfaqëson më interesat e qytetarëve.

“Edi Rama, ti e ke shitur Shqipërinë. Nuk ja vlen të jesh më për këtë popull. Ti je solidar me Netanjahun. Ai është armik i popujve. Edi Rama duhet të distancohesh nga këta njerëz. Ti po njollos veten tende dhe ata që ke nga pas”, tha emigranti.

Protestuesi reagoi edhe ndaj etiketimeve që u janë bërë pjesëmarrësve në protestë, si sorra dhe korba, ndërsa tha se “Taulant Balla është një krimb që qelb vendin”.

“Ne na quajnë sorra dhe laraska, por ne nuk jemi të tilla. Nëse ne jemi sorra dhe laraska i them atij Taulnat Ballës që është një krimb dhe krimbat jetojnë nën tokë dhe jo sipër tokës. Korbat dhe laraskat e pastrojnë vendin, ndërsa ai e qelb vendin”, u shpreh qytetari.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat