“Nuk shitet Shqipëria!” – Përfundon protesta e 70-të, qytetarët mbyllin marshimin para Kryeministrisë

Shqipëria

“Nuk shitet Shqipëria!” – Përfundon protesta e 70-të, qytetarët mbyllin marshimin para Kryeministrisë

Më: 8 gusht 2026 Në ora: 08:10 Përditësuar në ora: 22:47 më 08.08.2026
Pankarta nga protesta në Tiranë

Përfundon protesta e 70-të kundër qeverisë, qytetarët mbyllin marshimin para Kryeministrisë

Ka përfunduar marshimi i qytetarëve në Tiranë, në kuadër të protestës së 70-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit u nisën nga Kryeministria dhe vijuan marshimin përgjatë Bulevardit “Bajram Curri”, në drejtim të zonës së Vasil Shantos.

Më pas, ata vijuan lëvizjen në Bulevardin “Gjergj Fishta”, për t’u rikthyer sërish në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.

Pikërisht aty, qytetarët mbyllën protestën e 70-të, pas disa orësh marshimi në rrugët e kryeqytetit.

Ashtu si në netët e mëparshme, gjatë protestës nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Në fund, protestuesit përsëritën thirrjen “Nesër më shumë!”, duke u bërë apel qytetarëve brenda dhe jashtë vendit që t’u bashkohen protestave.

Një tjetër thirrje e protestuesve ishte pjesëmarrja në protestat kombëtare të paralajmëruara për datat 14, 15 dhe 16 gusht, ku pritet një pjesëmarrje e konsiderueshme e shqiptarëve nga diaspora.

Nga sheshi, protestuesit deklaruan se shumë emigrantë kanë zgjedhur të rikthehen në Shqipëri gjatë këtyre ditëve jo për pushime, por për t’iu bashkuar protestës kundër qeverisë.

“Shqipëria kërkon revolucion!”- Qytetarët marshojnë nëpër rrugët e Tiranës

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, në kuadër të protestës së 70-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit janë nisur nga zona pranë Kryeministrisë, duke vijuar lëvizjen nëpër rrugët e kryeqytetit, ndërsa gjatë marshimit kanë përsëritur thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit.

“Edi Rama, jep dorëheqjen!” dhe “Shqipëria kërkon revolucion!” janë ndër thirrjet që shoqërojnë marshimin.

Protesta vijon prej 70 ditësh, ndërsa qytetarët shprehen të vendosur për të vazhduar qëndresën dhe marshimet kundër qeverisë.

Pankartat e protestës së 70-të, qytetarët: Ende së bashku për Shqipërinë!

Mesazhe të forta dhe pankarta në shqip e anglisht kanë shoqëruar protestën e 70-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Në shesh janë shfaqur mesazhet si: “70 ditë, ende së bashku”, 70 ditë për Shqipërinë”.

Ndërsa në një tjetër përsëritej ashtu si çdo ditë thirrja për dorëheqjen e kryeministrit Edi Raam dhe qeverisë së tij.

“Dorëheqje, mjaft është mjaft”, thuhej në një prej pankartave të tjera.

“Nuk jam shqiptar, por i përkas kësaj toke!”- I huaji që proteston prej ditës së parë në Tiranë: Nuk shitet Shqipëria!

Një i huaj që jeton prej katër vitesh në Shqipëri dhe që ka marrë pjesë në protestë që prej ditës së parë, ka mbajtur një fjalim në shesh, duke shprehur mbështetjen e tij për qëndresën qytetare.

Ai tha se nuk është me origjinë shqiptare, por prej katër vitesh jeton dhe punon në një fshat pranë Apolonisë, duke e konsideruar veten pjesë të kësaj toke.

I huaji tha se, edhe pse nuk zotëron tokë në Shqipëri, ndien se i përket kësaj toke, pasi aty jeton dhe ndërton jetën e tij.

“Toka i përket atyre që banojnë. Ku shqiptarët flasin për tokën, thotë toka ime, ajo që na ushqen dhe na strehon, ajo është e jona, nuk shitet Shqipëria”, përfundoi ai.

I huaji: Mirëmbrëma të gjithëve, sot u flas si një i huaj, por gjithashtu dhe të huajve që jetojnë këtu. Unë nuk jam shqiptar, nuk jam origjinë shqiptare, por jetoj prej 4 vitesh në një fshat pranë Apolonisë.

Jetojë dhe punoj në këto toka. Ha frutat e kësaj toke, gatimet e këtij vendi, vetëm kafenë e kam të importuar. Ujin, birrën dhe natyrisht rakinë, i pi shqiptare. Nuk jam shqiptar, por gjithçka më duhet për të jetuar, jam kam borxh të kësaj tokë. Nuk zotëroj tokë, nuk është pronë e imja, por unë i përkas kësaj toke.

Toka ime është ajo që unë i përkas, jo e kundërta. Toka i përket atyre që banojnë. Ku shqiptarët flasin për tokën, thotë toka ime, ajo që na ushqen dhe na strehon, ajo është e jona, nuk shitet Shqipëria.

“Çakenjtë dhe patronazhistët na kanë sulmuar nga çdo anë!”- Ish-luftëtari i UÇK-së, Zotaj: Destinacioni ynë është Shqipëria e re dhe e pakorruptuar

Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj, ka mbajtur një fjalim të fortë në protestën e 70-të kundër qeverisë, duke e cilësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në shesh si revoltën e akumuluar ndër vite ndaj qeverive, siç u shpreh ai, “mafioze, tradhtare dhe keqpërdoruese”.

Zotaj deklaroi se gjatë këtyre 70 ditëve protestuesit janë përballur me sulme si nga pushteti, ashtu edhe nga opozita, apo nga ata që i quajti “lakenjtë dhe çakejtë”.

“Të jemi krenarë të gjithë që të mos lejojmë që çakejtë, delirantët nga rrjetet sociale të zbehin vullnetin dhe qëllimin tonë atdhedashës. Asnjëri nga ne që jemi këtu në shesh nuk besoj se pretendon të marrë poste politike”, tha ai.

Në fund, ai tha se qëllimi i protestuesve është ndërtimi i një Shqipërie që duhet t’i përkasë qytetarëve dhe jo pushtetit.

“Delirantët, patronazhistët dhe kriminelët e qeverisë mund të lehin. Kush merret me qentë që lehin rrugës? Ne e kemi destinacionin, një Shqipëri të re, të pavarur dhe të pakorruptuar, një Shqipëri të popullit dhe jo të pushtetit”, përfundoi ai.

Ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj: Dalja e çdo qytetari këtu është revolta e 35 vjetëve nga qeveritë mafioze, tradhtare dhe keqpërdoruese. Në këto 70 ditë, lakenjtë dhe çakejtë e pushtetit dhe opozitës mundohen dhe luftojnë me çdo kusht protestuesit nga të gjitha anët.

Mund të lexoni dhe të shikoni nëpër rrjetet sociale jo vetëm pushtetarët dhe patronazhistët e tyre, por edhe ndonjë delirant që ka qejf të jetë i pari në çdo vend. Ne jemi ushtarë të atdheut. Grada e gjeneralëve duket e bukur dhe është e madhe, por ajo është e pisët, siç është grada e kryeministrit Edi Rama, sepse betejën dhe lavdinë për betejën e ka ushtari. Ai ballafaqohet me sakrificën e përditshme, ai ballafaqohet me të nxehtin, me acarin dhe me plumbin. Ashtu siç ballafaqohemi ne për 70 ditë me të nxehtin dhe me torturat e mëdha në këto 70 ditë protestë.

Të jemi krenarë të gjithë që të mos lejojmë që çakejtë, delirantët nga rrjetet sociale të zbehin vullnetin dhe qëllimin tonë atdhedashës. Asnjëri nga ne që jemi këtu në shesh nuk besoj se pretendon të marrë poste politike. Ne duam të jetojmë në shtëpitë tona me dinjitet, në një shtet që na vlerëson. Në një shtet që na pyet për vendimet, të cilat kanë ndikim dhe peshë dhe rolin e atdheut tonë.

Ne luftojmë sot në shesh, që të mos luftojmë nesër në llogore. Të mos u lëmë fëmijëve tanë ligje dhe keqbërje që mund t’i ndreqim sot, të mos t’i bëjmë nesër me pushkë. Mos të bëhemi nga ata që e fitojnë lirinë me luftë dhe e humbasin në paqe. Të qëndrojmë këtu. Kjo është lufta më e lehtë për të mbrojtur interesat e atdheut, ndaj të qëndrojmë.

Delirantët, patronazhistët dhe kriminelët e qeverisë mund të lehin. Kush merret me qentë që lehin rrugës? Ne e kemi destinacionin, një Shqipëri të re, të pavarur dhe të pakorruptuar, një Shqipëri të popullit dhe jo të pushtetit.

“Kemi vrarë frikën”/ Luçjana Kokaj i kthehet Ramës nga protesta: E vetmja besë që të japim; nuk largohemi pa ikur ti!

Aktivistja Luçjana Kokaj, nga protesta para Kryeministrisë, deklaroi se qëndresa qytetare prej 70 ditësh ka arritur të thyejë frikën dhe të bashkojë qytetarët rreth kërkesës për ndryshim politik. “Të gjithë pyesin: çfarë ka arritur protesta? Kemi arritur shumë; kemi vrarë frikën për 70 ditë”, u shpreh Kokaj.

Ajo tha se protesta ka arritur të tërheqë vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe se qytetarët kanë përcjellë zërin e tyre pa pasur nevojë për burime financiare.

“Kemi arritur që të jemi në artikujt e mediave botërore. Nëse qeveria është paguar me mln euro me taksat tona, ne kemi bërë me zërin e të vërtetës tonë”, deklaroi aktivistja. Kokaj theksoi se Shqipëria ka nevojë për kurajën dhe angazhimin e qytetarëve për të ecur drejt Bashkimit Evropian.

“Shqipëria ka nevojë për shpirtin, kurajon tuaj, për të shkuar në BE. Ndaj nuk na duhet kjo qeveri e korruptuar. Do të bëjmë revolucion”, tha ajo. Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, Kokaj deklaroi se protestuesit nuk do të tërhiqen nga qëndresa.

“E vetmja besë që do të marrësh nga ne, zoti Kryeministër, është që nuk largohemi pa ikur ti”, u shpreh ajo. Në fund, aktivistja iu drejtua veçanërisht të rinjve shqiptarë, duke theksuar se vendi ka potencial për ndryshim. “Jeni shumë ju që mund të jeni në vend të tij. Rinia shqiptare mund të bëjë shumë më shumë se ç’kanë bërë këta kriminelë”, deklaroi Kokaj.

Lika nga protesta para Kryeministrisë: Shqiptarët kanë marrë në dorë fatin e tyre, Diaspora e gatshme të kthehet!

Aktivisti Edison Lika, duke folur nga protesta para Kryeministrisë, deklaroi se një pjesë e diasporës do t’i bashkohet protestës në Tiranë në datat 14-16 gusht. “Diaspora do të jetë me ne në shesh nga 14-16 gusht. Sot jemi në mesin e gushtit, në mesin e vapës, por më të bashkuar se kurrë”, u shpreh Lika.

Ai tha se protestuesit kundërshtojnë disa prej politikave dhe nismave të qeverisë, duke përmendur paketën e maleve dhe ligjin për zonat e mbrojtura. “Ne nuk jemi pro Paketës së Maleve, ligjit për zonat e mbrojtura, pasi jemi për mbrojtjen e vendit tonë. Nuk jemi për një qeveri që largon qytetarët e vet”, deklaroi aktivisti. Lika theksoi se diaspora është e gatshme të rikthehet në Shqipëri sa herë që vendi ka nevojë.

“Kjo diasporë është e gatshme që të kthehet në vendin tonë, sa herë ka nevojë vendi. Ne jemi këtu për të gjithë ata që duan të kthehen dhe ata që duan të ikin. Ikja nuk është alternativë, por qëndresa”, tha ai.

Sipas tij, për vite me radhë vendimet për jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve janë marrë nga një grup politikanësh, por tashmë qytetarët po kërkojnë të marrin vetë në dorë fatin e tyre.

“Prej vitesh ua kemi lënë në dorë disa politikanëve tanë maskarenj, që kanë vendosur për ne se ku duhet të rrimë, ku duhet të punojmë dhe ku duhet të emigrojmë. Por jo më! Shqiptarët e kanë marrë në dorë fatin e tyre”, u shpreh Lika. Në fund, aktivisti e cilësoi lëvizjen qytetare si një proces ndryshimi, duke deklaruar: “Nuk themi kot se Shqipëria po bën revolucion!”

Sot dita e 70-të e protestës, qytetarët mblidhen në sheshin “Skënderbej”, thirrje kundër Ramës: Jep dorëheqjen!

Ka nisur mbledhja e qytetarëve në sheshin “Skënderbej”, në Tiranë, në kuadër të protestës së ditës së 70-të të rezistencës qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Qytetarët kanë nisur të mblidhen në shesh, ndërsa nga turma dëgjohen thirrje kundër qeverisë. “Rama, jep dorëheqjen!” është motoja kryesore e protestuesve.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit pritet të nisin marshimin drejt Kryeministrisë, ku do të vijojnë tubimin dhe thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit. Protesta e sotme shënon ditën e 70-të të qëndresës qytetare, e cila sipas organizatorëve nisi fillimisht si reagim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, por më pas u shndërrua në një lëvizje me kërkesa të drejtpërdrejta politike.

Pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime të thella politike dhe institucionale, ndërsa mes kërkesave të tyre është edhe largimi i asaj që e konsiderojnë si “klasa e vjetër politike”.

Me kalimin e ditëve, protesta ka vijuar të mbajë të njëjtën kërkesë kryesore: dorëheqjen e Edi Ramës dhe ndryshimin e modelit aktual të qeverisjes. Tashmë sytë janë te marshimi që do të zhvillohet nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, ku pritet të vijojë protesta e ditës së 70-të.

Revolta kundër Ramës/ Sot 70 ditë rezistencë, qytetarët sërish në protestë, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Shqiptarët do të dalin sërish sot në protestë, në atë që shënon ditën e 70-të të rezistencës qytetare.

Protestuesit pritet të mblidhen poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, ku do vijojnë të përsërisin thirrjen për dorëheqjen e tij.

Protesta, e cila fillimisht nisi si reagim ndaj një projekti për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, tashmë ka marrë përmasa më të gjera dhe është shndërruar në një lëvizje me kërkesa të drejtpërdrejta politike.

“Jep dorëheqjen!”, është një nga thirrjet kryesore të protestuesve.

Qytetarët kërkojnë ndryshime të thella në mënyrën e funksionimit të sistemit politik, ndërsa kërkesat e tyre janë zgjeruar edhe në drejtim të largimit të klasës së vjetër politike.

Sipas protestuesve, qëllimi i kësaj rezistence është sjellja e një ndryshimi të vërtetë politik dhe institucional, duke kërkuar një model të ri përfaqësimi dhe një shkëputje nga politika tradicionale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat