Rezistenca në ditën e 72-të, qytetarët nuk i ndalin thirrjet për dorëheqjen e Ramës:
Protesta e sotme në Tiranë (10 gusht) shënoi ditën e 72-të të rezistencës, me qytetarë dhe aktivistë që u mblodhën sërish në shesh kundër qeverisë. Kryefjala e tubimit ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës pati një sërë fjalimesh dhe thirrjesh kundër qeverisë, ndërsa protestuesit kërkuan ndryshim politik dhe një shtet që t’u shërbejë qytetarëve.
Aktivisti Edison Lika deklaroi se protesta do të vijojë edhe në shtator, duke paralajmëruar pjesëmarrje më të madhe qytetare. Ndërsa Ilir Xhemalaj foli për një “Shqipëri të re”, ku ligji të jetë i barabartë për të gjithë, puna të shpërblehet dhe të rinjtë të mos detyrohen të largohen nga vendi.
Ish-e burgosura politike Lavdie Nela e lidhi protestën me kauzën antikomuniste dhe historinë e bashkëshortit të saj, poetit Havzi Nela. Ndërsa Sazan Guri bëri thirrje për atë që e cilësoi si “rrethim fizik” të Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Protestuesit shprehën gjithashtu pakënaqësi për gjendjen ekonomike, emigracionin, korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes. Në shesh u dëgjuan thirrje si “Edi Rama dil në bulevard”, “Ju erdhi fundi” dhe “Ramovic, o tradhtar, jep dorëheqjen”.
Protesta u shoqërua edhe me pankarta ironizuese ndaj qeverisë, ndërsa organizatorët paralajmëruan vijimin e mobilizimit edhe gjatë muajve të ardhshëm.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë qytetarët marshuan në rrugët e Tiranës me thirrje për ndryshim të klasës politike.
Pas 72 ditësh protestë, kërkesa kryesore e protestuesve mbetet e njëjtë, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimi politik në vend.
“Rama jep dorëheqjen”- Vazhdon marshimi i qytetarëve në rrugët e Tiranës
Marshimi i protestuesve vazhdon në rrugët e kryeqytetit, ku një numër i madh qytetarësh po vazhdojnë të përshkojnë akset kryesore me thirrje të forta ndaj pushtetit.
Përgjatë lëvizjes së turmës nëpër Tiranë, zëri i protestuesve është ngritur edhe më shumë.
Brohoritjet “Shqipëria kërkon revolucion!” dhe “Rama jep dorëheqjen!” po jehojnë në çdo segment ku po kalon marshimi, duke artikuluar kërkesën e tyre për ndryshim të menjëhershëm politik.
Gjatë marshimit ata i kanë bërë thirrje qytetarëve të tjerë që të çohen nga kafja dhe ti bashkohen protestës.
“Çohuni nga kafja”, “Bashkohuni me ne”, “poshtë patronazhistët”, ishin disa nga thirrjet e tyre.
Pankartat që ironizojnë Edi Ramën: Kruja në flakë, shteti ‘në këmbë’ në Facebook
Në protestën e zhvilluar sot, qytetarët kanë përdorur pankarta me mesazhe ironizuese ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Një prej tyre lidhet me situatën e zjarreve në vend, duke ironizuar reagimin e institucioneve, ndërsa në foto shfaqet kreu i qeverisë duke bere plazh.
“Kruja në flakë, shteti ‘në këmbë’ në Facebook”, shkruhet në pankartë.
Sot protesta e 72-të kundër Ramës dhe qeverisë, qytetarët mbledhen në revoltë
Ka nisur sot protesta e 72-të radhazi e qytetarëve në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar, duke vijuar kështu valën e qëndresës popullore në kryeqytet.
Sipas planifikimit të organizatorëve, qytetarët janë grumbulluar fillimisht në sheshin “Skënderbej”. Nga aty, turma pritet të nisë marshimin drejt godinës së Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku do të zhvillohet edhe pjesa kryesore e protestës dhe fjalimet e anëtarëve të shoqërisë civile e opozitës.
Pjesëmarrësit e grumbulluar kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të mos u tërhequr nga kërkesat e tyre deri në plotësimin e tyre. Në një prononcim të drejtpërdrejtë për mikrofonin e News24, një nga qytetarët e pranishëm deklaroi: “SHBA dhe Europa janë me ne! Rama është kriminel që e ka shitur vendin,” u shpreh ai.
Kjo protestë shënon ditën e 72-të të tubimeve të njëpasnjëshme në kryeqytet, ku kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe marrja e përgjegjësisë për situatën politike e ekonomike në vend.
“Rama i ka ditët e numëruara”- Protesta në ditën e 72, thirrja e qytetarit: Të merret shembulli i Poliçanit, të digjen teserat e PS
Protesta kundër qeverisë ka hyrë sot në ditën e 72-të, ndërsa qytetarë janë mbledhur në shesh për të shprehur kundërshtimin ndaj qeverisjes dhe duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Një prej protestuesve beri thirrje për zgjerimin e pikave qe kane parashtruar protestuesit, ndërsa deklaroi se “Rama i ka ditët e numëruara”.
“Unë vij në protestë sepse kjo protestë lindi mes popullit. Ne duam ndryshimin dhe 5 pikat duhet të zgjerohen më tej. Ky nuk është shtet, është diktaturë, që nga koha e Enver Hoxhës deri më sot. Duhet të vijë diaspora dhe të mos e shuajmë zjarrin e kësaj protestë. Ky ditët i ka të numëruara”, tha qytetari.
Po ashtu protestuesi i bëri thirrje atyre njësive bashkiake që parashikohen të shkrihen nga reforma territoriale, që të ndjekin shembullin e Poliçani dhe të djegin teserat e PS.
“Njësitë bashkiake të marrin shembullin e Poliçanit dhe të grisin teserat e PS”, tha ai.
Protesta e 72-të kundër qeverisë/ Qytetarët mblidhen sërish në Tiranë, kërkesa kryesore: Rama dorëhiqu! Shqipëria kërkon revolucion
Protesta qytetare kundër qeverisë dhe klasës politike do të vijojë edhe sot, duke hyrë në ditën e 72-të të saj.
Qytetarët pritet të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Protesta, e cila nisi fillimisht kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec, është zgjeruar gjatë javëve në vijim me kërkesa të tjera politike.
Edhe gjatë protestës së 71-të, një ditë më parë, u dëgjuan thirrje kundër drejtuesve kryesorë politikë. Ndër sloganet e përsëritura nga protestuesit ishte edhe: “Rama në burg, Berisha në burg”.
Organizatorët dhe qytetarët pjesëmarrës kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, me synimin për të shtuar pjesëmarrjen dhe presionin ndaj qeverisë, deri në realizimin e kërkesave të tyre.