Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit në bashkëpunim me strukturat e Policisë, ka zhvilluar këtë të mërkurë një aksion në zonën e Shën Janit, në Karaburun, ku është konstatuar një objekt i ndërtuar pa leje.
Gjatë ndërhyrjes në terren, inspektorët kanë evidentuar shkeljen dhe i kanë dorëzuar pronarit njoftimin zyrtar për prishjen e objektit. Sipas informacioneve paraprake nga terreni, shembja pritet të kryhet gjatë ditës së nesërme, me mjetet dhe pajisjet e IKMT-së.
Aksioni vjen në kuadër të kontrolleve që po zhvillohen për evidentimin e ndërtimeve të paligjshme, veçanërisht në zonat bregdetare dhe territoret me status të mbrojtur. Ndërhyrjet synojnë lirimin e hapësirave nga objektet e ndërtuara në kundërshtim me legjislacionin dhe forcimin e kontrollit mbi territorin.
Në terren raportohet se kanë qenë të pranishëm kryepolici Skënder Hita si dhe kreu i IKMT-së, Afrim Qëndro.