Momente dramatike nga zjarri në Vlorë, pushuesit largohen nga dritaret – Këta janë të lënduarit nga Kosova

Shqipëria

Momente dramatike nga zjarri në Vlorë, pushuesit largohen nga dritaret – Këta janë të lënduarit nga Kosova

Më: 16 gusht 2026 Në ora: 08:11 Përditësuar në ora: 10:40 më 16.08.2026
Pamje nga vendi i ngjarjes

Zjarri në hotelin në Vlorë: Këta janë personat e lënduar, disa prej tyre nga Kosova

Zbulohen identitetet e gjashtë personave që mbetën të lënduar nga zjarri i fuqishëm që përfshiu në orët e para të mëngjesit hotelin “Brooklyn” në Lungomare të Vlorës
Të lënduarit janë kryesisht të rinj, mes moshave 20 dhe 30 vjeç.

Sipas të dhënave, bëhet fjalë për:

Ndorina Rexhepi 25 vjeç
Arlinda Rexhepi 27 vjeç
Erza Grainca 21 vjeç
Aldo Kasimi 30 vjeç
Ana Dyrmishi 25 vjeç
Luan Saliu, 21 vjeç

Zjarri ra rreth orës 04:05 në ambientet e brendshme të hotelit, në lagjen “10 Korriku”. Flakët dyshohet se nisën në ambientet e restorantit dhe u përhapën në godinë, duke detyruar pushuesit të kërkonin rrugëdalje nga hoteli.

Disa prej tyre, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve, u detyruan të hidheshin nga ballkonet, duke pësuar fraktura dhe dëmtime të tjera trupore.

Sipas Policisë, pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ndërsa një tjetër po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës. Dy prej të lënduarve kanë pësuar djegie të konsiderueshme në trup.

Nga hetimet paraprake, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton se zjarri ka qenë aksidental. Dyshohet se flakët janë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e rrethanave të saj.

Zjarri në hotelin në Vlorë, Ministria e Shëndetësisë: 5 të lënduar në QSUT dhe Traumë, një në gjendje të rëndë

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë informacion mbi gjendjen e të lënduarve pas zjarrit në një hotel në Vlorë.

Si pasojë e zjarrit të rënë në një hotel në Vlorë, në QSUT janë paraqitur tre qytetarë, të cilët aktualisht po marrin trajtim mjekësor.

Njëra prej pacienteve është në gjendje të rënduar, për shkak të përqindjes së lartë të djegieve, ndaj kërkon monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor.

Pacienti tjetër klinikisht paraqitet më i qetë dhe po ndiqet nga stafi mjekësor.

Ndërsa në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim mjekësor dy paciente, të cilat janë paraqitur me dëmtime të shumta.

Njëra prej pacienteve paraqitet në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe vijon të jetë nën kujdesin e stafit mjekësor.

Pacientja tjetër, gjendja shëndetësore e së cilës është aktualisht e stabilizuar, por për shkak të dëmtimeve të marra do të vijojë të mbahet në monitorim intensiv  dhe të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.

Zjarri në hotelin në Vlorë, reagon Policia: Gjashtë pushues të lënduar, pesë prej tyre shtetas të Kosovës

Një zjarr i rënë në orët e para të mëngjesit në hotel “Brooklyn” në lagjen “10 Korriku” në Vlorë ka lënë të lënduar gjashtë pushues. Pesë prej tyre janë shtetas të Kosovës, ndërsa një është nga Rrësheni.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, zjarri ka qenë aksidental dhe dyshohet se është shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi në ambientet e restorantit. Dy prej të lënduarve kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore dhe janë transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin e Djegieve në Tiranë.

“Vlorë/ Informacion paraprak. Sot, rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A.

Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, (5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni).

Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.

Gjithashtu, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale.

Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, shkruan Policia.

6 të lënduar nga zjarri në Lungomare, shefi i Reanimacionit të Vlorës: Një vajzë me djegie 100%

Gjashtë persona janë lënduar nga zjarri që përfshiu një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës.

Një vajzë është në gjendje të rëndë, me djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit nga zjarri që përfshiu një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë.

Kështu deklaroi për mediat shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, sipas të cilit pesë të lënduar janë transportuar për trajtim të specializuar në Tiranë.

Ndërsa një tjetër po vijon të marrë trajtim në repartin e Kirurgjisë të Spitalit të Vlorës. Dy persona të tjerë janë gjithashtu nisur drejt kryeqytetit.

Në gjendje më të rëndë shëndetësore paraqitet një vajzë, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit.

Zjarri në hotelin e Vlorës/ Turisti polak tregon tmerrin: Dëgjuam të bërtitura, njerëzit kërkonin ndihmë

Një i ri nga Polonia ka treguar momentet kur ra zjarri në hotelin në Lungomare të Vlorës.

Ai tregon se fillimisht ndjeu një erë të çuditshme dhe dëgjoi të bërtitura. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00.

“Ndjemë një erë të çuditshme dhe dëgjuam të bërtitura. Ishte ora rreth 4, pastaj dolëm në dritare dhe pamë çfarë po ndodhte. Kishte njerëz që kërkonin ndihmë”, ka treguar i riu nga Polonia.

Zjarri ka përfshirë hotelin në Lungomare të Vlorës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur policia dhe forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin e flakëve. Gjashte persona janë plagosur, dy prej tyre ne gjendje te rendë.

Momente dramatike nga zjarri në Vlorë, pushuesit largohen nga dritaret

Publikohen pamjet nga zjarri që përfshiu hotelin në zonën e Lungomares në Vlorë, ku shihen momentet kur pushuesit përpiqen të dalin nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit.

Në pamje, shihen disa persona që largohen nga dritarja për tu shpëtuar flakëve.

Zjarri ra në orët e para të mëngjesit.

Disa prej pushuesve, të gjendur përballë tymit dhe flakëve, u detyruan të dilnin nga dritaret. Një prej të dëmtuarve ka treguar nga spitali se, pasi kishin parë korridorin të mbushur me tym, ishin drejtuar drejt ballkonit.

“Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë. Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di”, thotë i riu.

Si pasojë e ngjarjes, gjashtë persona morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës. Pesë prej tyre u dërguan më pas drejt Tiranës për trajtim më të specializuar: dy në Spitalin e Traumës dhe tre në repartin e djegieve në QSUT. Një tjetër po trajtohet në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Vlorës.

Sipas informacioneve paraprake, flakët nisën në lokalin në katin e parë dhe më pas u përhapën në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e objektit.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat