Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Vlorës, ndërsa gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim, pas një ngjarjeje të rëndë të regjistruar në zonën e Radhimës, ku pronari i një hoteli dyshohet se është dhunuar dhe kërcënuar me armë zjarri.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Edvin Ndreu, bëri të ditur se policia u njoftua rreth orës 11:30 nga pronari i hotelit, Vasil Bedinaj, i cili kërkoi ndihmë pasi disa persona e kishin dhunuar dhe kërcënuar me armë.
Menjëherë pas njoftimit, policia ngriti pika kontrolli në hyrje-daljet e Vlorës dhe në Dhërmi, ndërsa në bashkëpunim me policitë e Fierit dhe Gjirokastrës u ngritën pika kontrolli edhe në këto territore.
Gjatë operacionit, një automjet tip “Range Rover” nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar dhe u largua në drejtim të fshatit Peshkëpi. Gjatë ndjekjes, automjeti doli nga rruga dhe u përplas me barrierat mbrojtëse në Urën e Peshkëpisë.
Në automjet ndodheshin Luan Muça dhe vëllezërit Klaudio e Mandrit Lleshaj, të dy punonjës të një kompanie sigurie private. Dy prej tyre mbetën të dëmtuar dhe u dërguan në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit të automjetit u gjet dhe sekuestrua një pistoletë me një karikator me 16 fishekë luftarakë.
Ndërkohë, në Fier u ndalua një tjetër automjet i shpallur në kërkim, me drejtues shtetasin kosovar Blerim Heta. Në automjet u gjetën tre fishekë pistolete, ndërsa xhami në anën e pasagjerit kishte dëmtime që dyshohet se janë shkaktuar nga armë zjarri.
Policia konfirmoi gjithashtu se një automjet tip “Audi A8”, i dyshuar se ishte përdorur nga autorët, u gjet duke u djegur në bypass-in e Vlorës, pranë fshatit Kaninë.
Sipas hetimeve, Luan Muça, së bashku me persona të tjerë, kishte shkuar në hotelin në pronësi të Vasil Bedinajt, të cilit dyshohet se, përmes kërcënimit me armë dhe dhunës fizike, i kishin kërkuar 5 milionë euro. Po ashtu, ai dyshohet se ishte kërcënuar se duhej të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh.
Policia tha se shtetasi Angjelo Breshani dyshohet se kishte marrë nga automjeti i Bedinajt një armë zjarri, të cilën ky i fundit e posedonte me leje, dhe kishte qëlluar në drejtim të automjeteve të personave të përfshirë në ngjarje.
Në përfundim të operacionit u arrestuan në flagrancë Luan Muça, 55 vjeç, Klaudio Lleshaj, 29 vjeç, Mandrit Lleshaj, 33 vjeç, Blerim Heta, 40 vjeç, shtetas kosovar, dhe Angjelo Breshani, 29 vjeç.
Gjashtë persona të tjerë dhe katër automjete janë shpallur në kërkim. Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për dokumentimin e plotë të rastit.