Tensionet kanë vijuar jashtë Kuvendit edhe pas përfundimit të seancës plenare.
Ndërsa një pjesë e deputetëve janë larguar, disa të tjerë vijojnë të qëndrojnë brenda godinës dhe nuk po dalin për shkak të protestuesve të grumbulluar jashtë.
Disa automjete të deputetëve janë goditur me vezë dhe shishe uji, mes tyre edhe makina ku ndodhej deputetja socialiste Ilva Gjuzi.
Situata është tensionuar pikërisht në momentin kur deputetët kanë nisur të largohen nga godina e Parlamentit.
Protestuesit e grumbulluar në zonë kanë qëlluar me vezë dhe shishe uji disa prej automjeteve që po largoheshin nga Kuvendi.
Mes makinave të goditura ka qenë edhe automjeti ku ndodhej deputetja e Partisë Socialiste, Ilva Gjuzi. Protestuesit kanë hedhur vezë dhe shishe në drejtim të makinës teksa ajo po largohej nga zona.
Për shkak të situatës së krijuar jashtë Parlamentit, disa deputetë vijojnë të qëndrojnë brenda ambienteve të Kuvendit dhe nuk po arrijnë të largohen.
Forca të shumta policore ndodhen në terren dhe po përpiqen të mbajnë nën kontroll situatën dhe të sigurojnë daljen e deputetëve.
Gjatë tensioneve ka pasur edhe shoqërime nga Policia. Mes personave të shoqëruar është Adriatik Lapaj, drejtues i “Shqipëria Bëhet”, si dhe gazetari dhe aktivisti Shpend Gashi.
Tensionet vijnë pas disa orësh protestë jashtë Kuvendit, ndërsa brenda zhvillohej seanca plenare. Edhe pas përfundimit të saj, prania e protestuesve dhe incidentet me automjetet kanë bërë që situata rreth Parlamentit të mbetet e tensionuar.