Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar me tone të ashpra lidhur me skandalin e zbuluar me ish-drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni. Përmes një deklarate publike, Këlliçi theksoi se vendi ndodhet përpara një paralize të plotë institucionale dhe një krize të thellë besimi brenda e jashtë vendit.
Në reagimin e tij, Këlliçi nënvizoi se me arrestimet dhe hetimet e fundit ndaj krerëve të shërbimit sekret, mbrojtjes dhe policisë, shteti shqiptar ka pësuar një goditje të pakuptimtë dhe pa mundësi rikuperimi të shpejtë.
“Kush i beson më Shqipërisë, me këtë Kryeministër, me këta drejtues?!
Me kreun e SHISH në arrest për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje informacioni, me Ministrin e Mbrojtjes nën dyshime serioze dhe përgjime të bëra publike për trafik armësh dhe vegël e njeriut të punëve të pisëta, Ron Yeffet, me drejtues policie nën kontroll e hetim, me AKSH-in grup të strukturuar kriminal, siguria jonë kombëtare nuk ka qenë kurrë kaq e shpartalluar!” deklaroi Këlliçi.