Mediu kërkon takime periodike të opozitës: Duhet ripërtëritje e të gjithë koalicionit

Shqipëria

Mediu kërkon takime periodike të opozitës: Duhet ripërtëritje e të gjithë koalicionit

Më: 3 tetor 2026 Në ora: 13:04
Fatmir Mediu

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë tryezës së opozitës për Reformën Territoriale, kërkoi një koordinim më të madh mes partive aleate dhe zhvillimin periodik të takimeve mes tyre.

Sipas Mediut, bashkëpunimi nuk duhet të kufizohet vetëm në nivelin qendror, por duhet të shtrihet edhe në degët lokale. Ai kërkoi gjithashtu që opozita të nisë përgatitjet për zgjedhjet vendore, përfshirë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.

Mediu theksoi gjithashtu nevojën për ripërtëritjen jo vetëm të Partisë Demokratike, por të gjithë koalicionit opozitar, si dhe hartimin e një kalendari të përbashkët veprimi në Tiranë dhe në rrethe.

“Për interesin e opozitës është që kjo tryezë të funksionojë në mënyrë periodike, në disa nivele. Niveli i parë, i kryetarëve të partive. Të diskutojmë si të koordinojmë veprimtaritë jo vetëm në Tiranë, por edhe në degë. Të diskutojmë për zgjedhjet lokale, duhet të gjejmë kandidatura fituese. Ka nevojë për një ripërtëritje jo vetëm të PD-së, por të gjithë koalicionit. Kjo bëhet kur shtylla e shtëpisë është e fortë, ajo krijon raportet dhe marrëdhëniet. Është e rëndësishme të vendosim një kalendar veprimi, si në Tiranë, ashtu edhe në rrethe”, tha Mediu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat