Ervin Salianji ka vizituar në Laknas familjen e Lutfi Elezajt, elektriçistit që humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa ka kërkuar transparencë dhe një hetim të plotë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Salianji ngriti pikëpyetje mbi shkaqet e vdekjes së elektriçistit, duke vënë në dyshim përfundimin se ai kishte ndërruar jetë si pasojë e një infarkti.
Sipas tij, familjarët kërkojnë përgjigje nga institucionet, pasi ndihen të braktisur dhe pretendojnë se përpjekjet e tyre për të zbardhur të vërtetën nuk kanë marrë përgjigjen e duhur.
Salianji bëri të ditur se, gjatë takimit, bashkëshortja dhe familjarët e të ndjerit i kanë rrëfyer shqetësimet e tyre, duke pretenduar se janë përballur me dyer të mbyllura dhe me përpjekje për t’i heshtur përmes parave apo premtimeve për vende pune.
Në reagimin e tij, ai kërkoi një hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm për vdekjen e Lutfi Elezajt, si dhe zbardhjen e çdo përgjegjësie të mundshme.
Reagimi i Salianjit:
A është vrasje vdekja e elektriçistit Lutfi Elezaj në Kamëz? Pse po mbulohet ngjarja?
Dëshmia rrëqethëse e bashkëshortes dhe familjarëve!
Sot shkova në Laknas për t’i dhënë zë një familjeje të thjeshtë, që më kontaktoi e dëshpëruar, pasi, sipas saj, i janë mbyllur dyert e institucioneve dhe çdo mundësi për ta bërë publike të vërtetën që kërkon.
Lutfi Elezaj i kushtoi 40 vite të jetës punës si elektricist. Sot, familja e tij kërkon përgjigje për vdekjen e tij në krye të detyrës, ndërsa rrethanat e ngjarjes ngrejnë pikëpyetje të rënda.
Familja kërkon të vërtetën, ndërsa pushteti duket se kërkon të mbyllë çështjen duke e shitur vdekjen si infarkt!
Dëshmia e bashkëshortes dhe familjarëve është rrëqethëse. Ata tregojnë për dyer të mbyllura, përpjekje për t’u mbyllur gojën me para nën dorë apo me premtime për vende pune.
Në vend që t’u japin përgjigje, t’i dëgjojnë dhe të hetojnë çdo dyshim, një familje që ka humbur njeriun e saj përballet edhe me përpjekje për ta heshtur.
Kjo është mënyra mafioze e qeverisjes: kur nuk japin dot përgjigje, përpiqen të blejnë heshtjen!
Nuk mund të trajtohet jeta e një njeriu si një dosje që mbyllet me një firmë. Nuk mund të blihet dhimbja e një bashkëshorteje dhe djemve te saj, një familjeje që kërkon të dijë çfarë i ndodhi njeriut të tyre.
Kush ka frikë nga e vërteta? Pse nuk u jepen përgjigje familjarëve? Çfarë po pengon zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje?
Kërkoj transparencë dhe hetim të plotë, të pavarur e të paanshëm për vdekjen e Lutfi Elezajt. Çdo përgjegjësi duhet të dalë në dritë dhe çdo tentativë për të penguar drejtësinë duhet të hetohet.
Sot i dhashë zë një familjeje që ndihet e braktisur. Nuk do ta lë vetëm!