​Përplasje mes policisë dhe protestuesve në sheshin Skënderbej

Shqipëria

​Përplasje mes policisë dhe protestuesve në sheshin Skënderbej

Më: 24 tetor 2026 Në ora: 18:24
Pamje nga protesta

Përplasje mes policisë dhe protestuesve janë regjistruar pasdite në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, ku një “breshëri” fishekzjarrësh është hedhur në drejtim të efektivëve të policisë.

Gjatë tensioneve, disa prej efektivëve janë parë të pajisur me shkopinj druri, ndërsa situata në shesh vijon të jetë e tensionuar.

Incidenti vjen në vijim të protestës në kryeqytet, ku më herët janë raportuar hedhje molotovësh, fishekzjarrësh dhe gaz lotsjellës, si dhe përplasje në disa zona të Tiranës.

Situata në sheshin Skënderbej vijon të jetë e tensionuar, teksa aty duket se janë përqendruar përplasjet.

Protestat e sotme i nisi ajo e deputetëve dhe militantëve të Partisë Demokratike, të cilët u grumbulluan fillimisht para selisë së PD dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë.

Ndërsa protesta e të rinjve nisi në Rrugën e Durrësit, rreth orës 14:00, ku nisën të qëllojnë më gurë drejt Ministrisë së Arsimit dhe efektivëve që kishin krijuar disa kordonë në këtë aks.

Të rinjtë protestues u vunë flakën disa koshave që ia afruan efektivëve për t’i bllokuar, por këta të fundit u kundërpërgjigjën me ujë dhe gaz lotsjellës e për pasojë ia dolën që brenda minutash të boshatisnin Rrugën e Durrësit.

Të shpërndarë në disa grupe, protestuesit vijuan përballjen me efektivët në sheshin Skënderbej dhe më pas u rigrupuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë.

Në rresht të parë të frontit u vendosën disa të rinj si grupi më aktiv i protestuesve që hodhën molotov drejt policisë, që kishte angazhuar rreth 2000 forca në terren. Për të zmbrapsur protestuesit, përdorën autobotët ujëhedhës, sprej me piper dhe gaz lotsjellës.

Protestuesit u shpërndanë në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke krijuar disa fronte ‘lufte’, ku herë përparonin protestuesit dhe herë avanconin policët. Një nga dyert e Mistrisë së Bujqësisë u përfshi nga flakët, që u vunë nën kontroll më pas nga zjarrfikësit.

Qetësi nuk pati as në rrugën e Myslym Shyrit, ku banorët dhe bizneset u gjetën të papërgatitur kur policia marshoi në ndjekje të protestuesve, por pa shkaktuar incidente në zonë.

Beteja vijoi në sheshin Skënderbej, ku të rinj të maskuar e me shkopinj u përplasën me policët. Një prej protestuesve dhe një efektiv u përfshinë nga flakët dhe morën ndihmë nga kolegët, ndërsa në spital u paraqitën për ndihmë mjekësore një deputet, katër protestues, një polic, dy përfaqësues të medias.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat