Sula: Protesta hyn në fazën e dytë, mësuesit po përballen me presion dhe sh*ntazh

Shqipëria

Sula: Protesta hyn në fazën e dytë, mësuesit po përballen me presion dhe sh*ntazh

Më: 28 tetor 2026 Në ora: 18:55
Lili Sula

Pedagogia dhe përfaqësuesja e strukturave të PD-së, Lili Sula, u shpreh se protesta ka hyrë në fazën e dytë, atë të përshkallëzimit paqësor, duke e cilësuar atë si një revoltë qytetare të udhëhequr nga gjimnazistët dhe studentët.

Sula theksoi se protesta, e cila ka nisur në fund të muajit maj, vijon të dëshmojë qëndrueshmëri dhe këmbëngulje për plotësimin e kërkesave të parashtruara nga të rinjtë. Sipas saj, lëvizja mbështetet edhe nga pedagogë, mësues dhe qytetarë.

Duke folur për situatën politike, pedagogia pretendoi se ndaj protestuesve po ushtrohet presion përmes deklaratave publike dhe masave që, sipas saj, synojnë të krijojnë frikë dhe të frenojnë pjesëmarrjen në protestë.

Ajo u ndal veçanërisht te mësuesit, duke deklaruar se numri i tyre në protestë është zvogëluar për shkak të presionit që, sipas saj, ushtrohet mbi ta. Sula i cilësoi deklaratat për largimin nga puna të mësuesve që marrin pjesë në protesta si shantazh dhe një përpjekje për të dobësuar lëvizjen qytetare.

Në përfundim, Sula u shpreh se faza e dialogut me të rinjtë është ezauruar dhe se protestuesit nuk janë më të gatshëm të kthehen pas në këtë drejtim. Sipas saj, përgjegjësia politike duhet të shoqërohet me dorëheqjen, ndërsa protesta vijon me kërkesën për plotësimin e objektivave të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat