Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim sigurie më 30 tetor, duke paralajmëruar shtetasit amerikanë dhe qytetarët për vijimin e protestave në kryeqytet, veçanërisht në zonat pranë institucioneve qeveritare.
Sipas njoftimit, demonstratat kanë vijuar në qendër të Tiranës dhe pranë ndërtesave qeveritare, ndërsa disa prej tyre janë shoqëruar me akte dhune, përfshirë përdorimin e mjeteve ndezëse, hedhjen e gurëve dhe dëmtimin e pronës.
Ambasada paralajmëron se protesta të tjera mund të zhvillohen në ditët në vijim, si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera të vendit.
Gjithashtu, theksohet se zonat përreth demonstratave mund të përballen me shtim të pranisë policore, bllokime rrugësh, devijim të trafikut dhe ndërprerje të transportit publik. Personat që ndodhen pranë tubimeve mund të ekspozohen ndaj gazit lotsjellës, fishekzjarrëve, mjeteve ndezëse dhe predhave prej gome.
Në këtë kuadër, Ambasada Amerikane u ka kërkuar personelit të saj të shmangë të gjitha zonat ku zhvillohen demonstratat.
Në njoftim, qytetarëve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes, të shmangin protestat, të ndjekin mediat lokale për informacionet më të fundit dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve të rendit.
Paralajmërimi përfshin edhe mundësinë e mbylljes ose kufizimit të shërbimeve publike në Tiranë, përfshirë transportin publik dhe institucionet qeveritare.