Protesta e opozitës, deputetët në krye të tubimit

Shqipëria

Protesta e opozitës, deputetët në krye të tubimit

Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 12:59 Përditësuar në ora: 14:19 më 07.11.2026
Protesta në Tiranë

Nuk ndalet revolta studentore! Tensione te Ministria e Arsimit, shoqërohet një protestues

Momente tensioni janë regjistruar pranë Ministrisë së Arsimit, ku po zhvillohet protesta e studentëve, të cilëve u janë bashkuar edhe qytetarë dhe mbështetës të Partisë Demokratike.

Raportohet për shoqërimin e disa personave nga policia në ambientet pranë Ministrisë së Arsimit. Protesta vijon në këtë zonë.

“Qeveri e krimit, jepni dorëheqjen!”/ Protestuesit marshojnë drejt Ministrisë së Arsimit: Ju erdhi fundi!

Me thirrjet “Arrestoni Ramën”, “Arrestoni Ballukun”, “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë” dhe “Ju erdhi fundi!”, vijon marshimi i qytetarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike drejt Ministrisë së Arsimit, për t’iu bashkuar protestës së studentëve.

Gjatë marshimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë dëgjuar edhe thirrje si “Qeveri e krimit”, ndërsa protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij.

Kjo është një tjetër protestë kombëtare kundër qeverisë, ku qytetarët dhe mbështetësit e opozitës i bashkohen tubimit të studentëve për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Shënohet incidenti i parë në protestën e PD-së/ Protestuesi thërriti “Rama n’burg, Berisha n’burg”, demokratët e përzënë me shpulla

Një incident është regjistruar gjatë protestës së Partisë Demokratike para Kryeministrisë, ku një protestues është përplasur me disa pjesëmarrës të tjerë.

Gjithçka nisi pasi protestuesi bëri thirrje kundër të dy liderëve politikë, duke brohoritur “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

Më pas kanë nisur tensionet, ku demokratët në protestë e kanë goditur me shpulla dhe me fjalë. Më pas kanë ndërhyrë edhe të tjerë protestues.

Ky është incidenti i parë i raportuar gjatë tubimit të sotëm të Partisë Demokratike, i organizuar para Kryeministrisë.

Protestuesit e PD marshojnë drejt Kryeministrisë

Protestuesit e thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, ku pritet të mbahet protesta e radhës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Mbështetësit e PD-së janë grumbulluar fillimisht në selinë blu, prej nga janë nisur drejt godinës së Kryeministrisë. Marshimi është udhëhequr nga deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët janë në mesin e përfaqësuesve politikë që u janë bashkuar protestuesve.

Kjo është protesta e tretë që Partia Demokratike organizon për të shtunën me radhë, në kuadër të aksionit të saj opozitar kundër qeverisë. Ashtu siç ishte paralajmëruar, tubimi po zhvillohet para Kryeministrisë, ku mbështetësit e opozitës janë mbledhur për të shprehur pakënaqësitë dhe kundërshtimin e tyre ndaj qeverisjes së Edi Ramës.

Pjesëmarrja e deputetëve dhe përfaqësuesve të tjerë të PD-së në këtë marshim synon të mobilizojë mbështetësit e opozitës dhe të mbajë të gjallë presionin politik ndaj qeverisë. Protesta vjen në vazhdën e thirrjeve të vazhdueshme të demokratëve për kundërshtimin e qeverisjes aktuale dhe kërkesave të tyre politike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat