​Shiroka, bukuri që nuk njeh stinë: Vendas dhe të huaj shijojnë bukuritë e liqenit të Shkodrës

Shqipëria

​Shiroka, bukuri që nuk njeh stinë: Vendas dhe të huaj shijojnë bukuritë e liqenit të Shkodrës

Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 14:09
​Shiroka

E preferuar nga turistët e huaj për panoramën magjepsëse dhe qetësinë që ofron liqeni i Shkodrës, Shiroka vijon të jetë e vizituar edhe në këtë prag dimri.

Disa vijnë për të shijuar pamjen e liqenit, të tjerë për një shëtitje në ajrin e pastër apo thjesht për të gjetur pak qetësi larg zhurmës së përditshme.

“Jam nga Italia. Është hera e parë që vij. Kemi vizituar kështjellën Rozafa dhe këtu po më pëlqen shumë Liqeni. Jemi së bashku me familjen. Do të qëndrojmë katër ditë në Shkodër”, tha një turist.

Ndërsa një turiste nga Belgjika tregon se ndodhet për herë të parë për vizitë në Shirokë.

“Jemi nga Belgjika, hera e parë që vij. Panorama këtu më pëlqeu shumë. Do qëndrojmë pak ditë”, u shpreh ajo.

Shiroka mbetet një nga destinacionet më të dashura edhe për vetë shkodranët. Për ta, ajo është më shumë se një pikë turistike pasi është pjesë e pandashme e kujtimeve, traditës dhe identitetit të qytetit.

“Shiroka është e këndshme, e shfrytëzojmë kur jemi pushim. Është një destinacion i pëlqyer shumë nga të gjithë”, tha një qytetar.

Shiroka mbetet e preferuar në çdo stinë, një bukuri që Shkodra e ka gjithmonë pranë dhe që vizitorët e zbulojnë me kënaqësi, pavarësisht motit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat