Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka kërkuar nga paraburgimi në Fier që të aktivizohet procedura statutore e mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Kërkesën ua dërgoi të shtunën anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, pak para se të niste mbledhja e saj në Gjirin e Lalzit.
Në fjalimin me titull “Partia Socialiste është më e madhe se kryetari i saj”, Veliaj kritikon përqendrimin e vendimmarrjes te Rama dhe kërkon më shumë debat e llogaridhënie brenda partisë, kanë raportuar mediat në Tiranë. Ai kërkon edhe që organet e partisë të bëjnë të njohura procedurën dhe afatet për ushtrimin e së drejtës së mocionit.
Mbledhja nisi me fjalën e sekretarit të përgjithshëm, Blendi Klosi, dhe vijoi me atë të Ramës. Kryeministri kërkoi ndërprerjen e sinjalit për mediat, duke thënë se donte të ndante disa fjalë vetëm me familjen e tij politike.
Në pjesën e fjalimit që u bë publike, Rama tha se as ai dhe as PS-ja nuk bëjnë avokatinë e askujt që ka probleme me drejtësinë. Ai mohoi se e ka mbrojtur ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërsa paraburgimin e Veliajt e quajti sërish absurd. Rama njoftoi një paketë masash për paraburgimin dhe tha se Shqipëria ka dyfishin e të paraburgosurve në krahasim me Rusinë.