Mbyllet Kampionati Ballkanik U22 Beach Volley: Kosova paraqitet denjësisht, triumfojnë Rumania e Turqia

Volejboll

Mbyllet Kampionati Ballkanik U22 Beach Volley: Kosova paraqitet denjësisht, triumfojnë Rumania e Turqia

Më: 24 korrik 2022 Në ora: 19:40
Pamje nga vendi i ngjarjes

Me ndeshjet e së dielës ka përfunduar Kampionati Ballkanik i volejbollit në rërë për grupmoshën nën 22-vjeç, i organizuar nga Federata e Volejbollit të Kosovës në "Holiday Resort" të Sllatinës së Madhe.

Çifti nga Kosova 2, Loresa Avdyli/Finesa Sylejmani ka zënë vendin e dytë në konkurrencën e femrave, pasi në finale u mposht nga dyshja rumune Bradatan Alexia Ioana/Miu Ioana Andreea me rezultat 2-0 në sete, me këto të fundit që u shpallën kampione ballkanike sa i përket grupmoshës në fjalë.

Në përballjen për vend të tretë ishin vashat 'Dardane' nga ekipi Kosova 1, Yllka Jashari/Melirona Avdullahu ato që siguruan këtë pozitë pasi mposhtën Turqinë.

Në konkurrencën e meshkujve, dyshja turke Sacit Kurt/Ahmet Can nga ekipi Turqia 2 u shpall kampion ballkanik për këtë edicion, pasi në finale mposhti dyshen nga ekipi Turqia 1, Batuhan Kuru/Necmi Ayberk Gulluk, me rezultat 2-0 në sete. Vendi i tretë i takoi dyshes kosovare, Ermal Maliqi/Erion Bajrami.

Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci ndau Kupën dhe medaljet për vendin e parë në konkurrencën e femrave, derisa medaljet për vendin e dytë u ndanë nga anëtari i bordit të FVK-së, Gazmend Husaj. Drejtori i 'Holiday Resort', Sadik Gashi dekoroi me medalje vendin e tretë.

Në konkurrencën e meshkujve, sekretari i përgjithshëm i FVK-së, Valon Nikqi ndau kupën për kampionin, ndërsa medaljet i dhuroi nënkryetarja e FVK-së, Mimoza Shkodra.

Medaljet për vendin e dytë u ndanë nga Husaj, ndërsa volejbollistët që zunë vendin e tretë u dekoruan me medalje nga mbikëqyrësi i këtij kampionati, Razvan Ifrim.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat