Mburren me sportin në rërë, por volejbolli i Kosovës nuk është askund! Nuk shkohet me 2- 3 vende të punës

Volejboll

Mburren me sportin në rërë, por volejbolli i Kosovës nuk është askund! Nuk shkohet me 2- 3 vende të punës

Nga: Kemajl Goca Më: 31 korrik 2022 Në ora: 18:52
Kosova

Punë, punë natë e ditë për të pa pakëz dritë, ndryshe do të jetë vështirë që të arrihet në nivelin që dëshirojnë klubet dhe po ashtu edhe selektorët me Kombëtaret e volejbollit të Kosovës.

Federata e Volejbollit e Kosovës, ka kohë që e ka gjetur recetën e rehabilitimit sportiv, mburren me sukseset e sportit në rërë përkatësisht në beachvoley, por pa harrojnë se me volejbollin femëror dhe të meshkujve, nuk janë askund, si me cilësi po ashtu edhe me rezultate.

Dëshmia më e mirë është kur garojnë me klubet në Kupat evropiane, po ashtu edhe me Kombëtare!

Në fakt, çfarë bënë për 22-23 vite? Pse cilësia nuk është në nivelin e duhur? Çfarë na duhet përforcimet nga shtetet e jashtme, kur nuk e mposhtin askënd në kupat evropiane. 

Ku rritet cilësia kur një person ka dy a tre poste apo dy a tri vende pune.

Trajneri i mirënjohur, Bujar Dervishaj, që drejton me sukses Qendrën e volejbollit në Zvicër, tha hapur se volejbolli i Kosovës udhëhiqet nga dy – tre veta! Ky është shqetësimi më i madh. 

“Dhe me duhet fatkeqësisht ta ceki se mentaliteti sportiv është thjesht i keq sepse mungon modestia dhe çka është më qesharakja ata edhe vetveten e emërojnë si baba apo babëgjyshi i volejbollit, ndërsa kur te dalin jashtë Kosove e shohin realitetin se ende janë bebe të vogla.

Trajneri të kryen punën vetëm si trajner e jo t’i ketë dy a tri punë apo biznese”, ka thënë mes të tjera Dervishaj për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A kemi nevojë për fitore me klube dhe kombëtare në garat evropiane? 

Fitoret janë edhe një infuzion? A ka strategji federata me komisionet përkatëse dhe klubet, se si të dalin nga këto mossuksese? 

A duhet të investohet në gjeneratat e reja, të nxjerrin volejbolliste dhe volejbollistë, apo të shpenzojnë mjete në lojtarë të huaj, dhe mos ta mundin askënd? A kemi kuadro të mirëfillta në kombëtare dhe në klube, a janë trajnerët dhe njerëzit e duhur apo jo? 

Shumë pyetje që dojnë përgjigje nga profesionistët. 

Cilat janë shqetësimet e fundit? 

Feime Shala, ish volejbolliste e spikatur, që e njeh fije e për pe mentalitetin dhe volejbollin e Kosovës, e ka thënë troç: “Porosia ime është që së pari të gjithë ata që merren me sport, të shërohen nga sëmundja e posteve, përfitimeve jo punës, interesave personale, kapjes së Federatës, ekipeve... Dhe të merren me të rinjtë profesionist dhe të ketë kritere”?

Para disa javësh ka reaguar ashpër edhe trajneri i mirënjohur Xhavit Kajtazi. “Pa asnjë minutë loje, hop - trajner, pa asnjë gram përvoje hop - trajner i skuadrës madje edhe i kombëtareve!”, kështu ka shkruar Kajtazi.

Po flasin emrat e mëdhenj, profesionistët, Bujar Dervishaj, Feime Shala, Xhavit Kajtazi! Kush po thotë që kemi cilësi? Po mburren me sportin në rërë, pa marrë pjesë në Kampionatin Evropian, Botëror por me një sukses, nënkampioni të Ballkanit, në një garë me tre shtete dhe vetëm me tre shtete. Sukses i madh!!!

Ndërsa volejbolli si sport kombëtar, nuk është askund dhe as që e çajnë kokën! Dikush duhet të jap përgjegjësi! Nuk shkon gjithmonë me humbje, mos ta fitosh asnjë set në garat zyrtare evropiane. Kosova ka talente, ka trajnerë por ku i kemi kuadrot? A po sillet ky sport në dy - tre veta siç e thotë Bujar Dervishaj!

Federata e Volejbollit e Kosovës, në krye me Bahri Gjinovcin, urgjentisht duhet të shikojë këtë situatë, të kërkojë përgjegjësi edhe nga selektorët për mossuksese dhe të gjejë strategjinë e shpëtimit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat