Lorik Ilazi sqaron rastin e lojtares franceze: Kemi dashur të nxjerrim në pah vështirësitë e procedurave të CEV-it

Volejboll

Lorik Ilazi sqaron rastin e lojtares franceze: Kemi dashur të nxjerrim në pah vështirësitë e procedurave të CEV-it

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 30 shtator 2025 Në ora: 15:57
Lorik Ilazi

Klubi i volejbollit Drita e Gjilanit (femrat), së pari humbi në fushë me rezultat 3:1 në kuadër të javës së parë të Kampionatit të Kosovës, pastaj pas ankesës së Fer Volley-t nga Ferizaj, humbi edhe në tavolinën zyrtare me 3:0 dhe gjobitet me 250 euro nga Komesari i Garave i FVK-së.

Arsyeja është për aktivizimin e lojtares së huaj, Loane Motta Paes e cila nuk e kishte të drejtën e lojës.

Kryetrajneri i Dritës, Lorik Ilazi, ndryshe selektor i kombëtares së Kosovës (femrat), tregon arsyen përse e futi në lojë volejbollisten përkundër se delegati i kishte thënë se nuk e ka të drejtën e lojës për faktin se nuk ishte e regjistruar fare.

Image

Konfirmimi vjen sot në adresë të Dritës

Ilazi jep versionin e tij për gazetën kombëtare “Bota sot”.

“Bota sot” “Drita humbi ndeshjen në rezultat zyrtar 3:0, për shkak se keni aktivizuar lojtaren e huaj pa të drejtë loje. 

Image

Dëshmia e pagesës nga ana e KVF Drita

Lorik Ilazi: Po, është e vërtetë që rezultati 3:0 në tavolinë është vendim zyrtar, sepse lojtarja Loane Motta Paes u aktivizua pa plotësimin final nga CEV.

Megjithatë, dua të sqaroj se kjo nuk kishte të bënte me Kampionatin e Kosovës. Lojtarja kishte miratimin nga FVK dhe federata franceze, por mungonte vetëm konfirmimi nga CEV për shkak të vonesave bankare dhe mosdaljes së mjeteve në llogarinë e tyre. CEV nuk e procedoi pa i pranuar fondet, edhe pse ne e kishim dëshmuar pagesën me kohë.

Pagesa tashmë ka mbërritur sot në CEV dhe dëshmia gjendet në duart e tyre. Pra, problemi ishte teknik dhe jashtë vullnetit tonë.

“Bota sot": Pse nuk i respektoni rregulloret e FVK-së?

Lorik ILazi: Ne kemi respektuar plotësisht rregulloret e FVK-së.

Nëse do të bëhej fjalë vetëm për Kampionatin e Kosovës, transferi i lojtareve do të ishte i përfunduar pa asnjë problem dhe madje pa asnjë pagesë shtesë. Regjistrimet në Kampionatin vendor janë falas dhe kjo procedurë për lojtarët tanë ishte përmbyllur me kohë. Pagesat vlejnë vetëm për lojtaret që paraqiten në garat evropiane.

Ne pranuam menjëherë dënimin nga FVK pa asnjë hezitim, çka dëshmon se nuk kemi pasur synim ta anashkalojmë rregulloren. Por, njëkohësisht kemi dashur të nxjerrim në pah vështirësitë e procedurave të CEV, të cilat dëmtojnë klubet pjesëmarrëse në Evropë.

Kemi kërkuar që kjo praktikë të rregullohet për të ardhmen me rregullore të qarta të FVK-së, dhe që ky të jetë rasti i fundit ku KV Drita del “kurbani” i një vonese teknike.

“Bota sot": Jeni selektor i kombëtares së Kosovës. A jeni penduar që aktivizuat lojtaren pa të drejtë loje?

Lorik Ilazi: Si selektor dhe trajner jam i vetëdijshëm që çdo vendim ka peshë.

Nuk jam penduar, sepse ky veprim nuk ishte për të shkelur rregullat, por për ta zhvilluar ndeshjen me ekipin e plotë. Kishim bindjen dhe provat se pagesa ishte kryer me kohë, vetëm se nuk ishte reflektuar në llogarinë e CEV për shkak të vonesave të transferimeve ndërkombëtare. Sot pagesa ka mbërritur dhe ky fakt e provon këtë.

Kjo nuk është mungesë respekti për rregulloren, por një situatë ku administrata ndërkombëtare ka dështuar të funksionojë në kohë.

“Bota sot: Delegati i ndeshjes iu paralajmëroi se lojtarja nuk kishte të drejtë loje, pse nuk e respektuat?

Lorik Ilazi: Delegati e bëri detyrën e tij dhe ne e respektojmë plotësisht këtë. Vendimi për ta aktivizuar lojtaren ishte i yni, sepse kishim të gjitha dëshmitë që pagesa ishte bërë dhe se problemi ishte vetëm vonesa bankare.

Ne e dinim që rrezikonim sanksion, por vendosëm që ndeshja të luhej në fushë e jo të mbetej në tavolinë. Sot pagesa ka mbërritur në CEV dhe është e dokumentuar.

Dua të shtoj se edhe sipas praktikës së FIVB, në raste kur pagesat janë kryer me kohë, nuk aplikohen ndëshkime, sepse vlerësohet fakti që vonesa është jashtë kontrollit të klubit.

“Bota sot”: Cfarë do të thotë ky rast?

Lorik Ilazi: Ky rast duhet të shërbejë si shembull për të ardhmen: klubet që përfaqësojnë Kosovën në garat evropiane duhet të kenë mbështetje dhe lehtësime me një rregullore të posaçme nga FVK.

Federata duhet ta mendojë këtë si hap për të ardhmen dhe të vazhdojë punën e shkëlqyer që ka nisur, duke forcuar zbatimin 100% të rregulloreve dhe besimin që është krijuar nga ekipet në udhëheqjen aktuale.

Nuk duhet harruar se këto pagesa vlejnë vetëm për garat evropiane, ndërsa kampionati i Kosovës nuk ka asnjë pagesë për regjistrimin e lojtareve dhe kjo procedurë nga ana jonë ishte përfunduar me kohë.

Ne kemi qenë të hapur dhe të sinqertë, kemi pranuar vendimin pa asnjë hezitim, dhe njëkohësisht kërkojmë që ky rast të shërbejë si nxitje për ndryshime që ndihmojnë klubet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, jo për t’i dëmtuar ato.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat