Zvicra, atdheu im i dytë

Zvicra

Zvicra, atdheu im i dytë

Nga: Merxhan Jakupi Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 13:42
Merxhan Jakupi

Ishte një pasdite pranvere e muajit prill, dyzet vjet më parë. Rrezet e diellit depërtonin nga xhamat e trenit, në kabinë. Isha i fokusuar në regjistrimin e bukurive të Alpeve maje larta të Austrisë, që ende ishin të mbuluara me kurora të bardha të borës. Treni arriti në kufirin zviceran. Ishte hera e parë që shkelja në këtë shtet helvetik. Kisha lexuar për këtë shtet nga rilindësit tanë shqiptarë. Përshtypja e parë imja ishte se gjendem në një shtet - parajsë, në mes të Evropës. Rilindësit tanë kishin shkruar për bukuritë natyrore, peizazhet e pafundme me sfond të gjelbër e të kaltër, banuar nga një popull i emancipuar dhe i civilizuar, që dinte se ç’është kultura e sjelljes dhe devotshmëria. Kur mbërrita në Zvicër ishte festë e Pashkëve. Treni u ndal pikërisht në qytetin ku do të qëndroja dhe do të punoja. Më gëzoi së tepërmi momenti kur nga dritaret e trenit në stacion, pashë të dy kushërinjtë e mi që më pritnin me padurim që të zbres.

Vendi i shpresave të mëdha

Kisha arritur në një vend të shpresave të mëdha, njëjtë sikur shumica e mërgimtarëve të tjerë, që të siguroj një ekzistencë dhe, pastaj, menjëherë të kthehem në vendlindje. Edhe unë si gjithë të tjerë mërgimtarë që erdhën në këtë vend vetëm përkohësisht, mbetën përgjithmonë. Për çdo ditë ëndërronim kthimin tonë, por kjo nuk ndodhi. Mbetën vetëm shpresat dhe iluzionet. Disa sish nga ky brez i mërgimtarëve të viteve 1970-1980, u kthyen me arkivole në vatrat e tyre. Disa u kthyen në moshë të shtyrë, pa takat e shëndet trupi, të zhgënjyer e të frustruar. Kthimi i tyre ishte paksa tragjik dhe fatkeq. Ky brez i mërgimtarëve të pensionuar, mjerisht ktheheshin në vendlindje pa fëmijët e vet, pa nipërit dhe mbesat, si trupa trungu të një peme të tharë.

Shqiptarët në Zvicër, si komunitet, janë më të lidhur emocionalisht me vendlindjen, për dallim nga popujt e tjerë të ardhur aty. Ata janë përpjekur që me fanatizëm ta ruajnë identitetin e tyre kombëtar, kulturën, doket dhe zakonet e trashëguara ndër breza. Po ashtu edhe brezi i dytë është i lidhur me origjinën dhe vendin e prindërve të tyre. Shumica e brezit të parë, pasi i morën edhe pjesën tjetër të familjes në mërgim, ata vazhdimisht i shtynin të mos harrohen ndjenjat e atdhetarizmit dhe ato nacional-patriotike e me vlera kombëtare, duke pasur frikë nga asimilimi dhe shkombëtarizimi. Ata shkojnë bashkë në vendlindje gjatë pushimeve vjetore, ndonëse më të rinjtë gradualisht i humbin lidhjet me vendlindjen dhe me të parët e tyre. Kësisoj ekziston rrezik që ata edhe të asimilohen në perëndim, atje ku jetojnë dhe punojnë. Ndërkaq, tendencat e brezit të tretë janë dëshpëruese, sepse ata kanë marrë shtegun e shkëputjes, mbase edhe përgjithmonë, nga toka, gjaku dhe fisi i origjinës. Një pjesë ende shpreson se një ditë do të kthehet në vendlindje, aq më shumë nëse në të ardhmen relaksohen marrëdhëniet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Pjesa dërrmuese e brezit të tretë kanë lindur në Perëndim dhe ata veç më janë integruar në atë shoqëri. Ata shfrytëzojnë potencialin e tyre individual, duke arritur suksese në karrierë, për të cilën gjë nuk kishin kushte në vendin e tyre të origjinës. Disa prej tyre bëhen edhe shkencëtar, biznesmen dhe ministra etj. Pema familjare ka lëshuar rrënjë të thella në ato vende dhe ata do të vazhdojnë jetën dhe punën e tyre në Zvicër ose në vende të tjera të perëndimit. Nëse i pyet ata për identitetin dhe origjinën e tyre, do të thonë se prindërit e tyre apo gjyshërit kanë ardhur nga Ballkani, qoftë nga Kosova, Shqipëria apo Maqedonia e Veriut. Ata janë në fazën e fillimit të humbjes së identitetit të tyre. Kësisoj, brezi i parë dhe ai i dytë bëhen bartës të këtij procesi degradues kombëtar.

Zoti e bekoftë popullin zviceran

Dy dekadat e fundit, duke punuar në një kompani zvicerane, bëra një karrierë të mirë pune, por fitova edhe një përvojë me vlerë. Kjo kompani, në të cilën punoja, ishte themeluar në vitin 1912. Brenda më shumë se një shekull, ajo ka investuar mjaft dhe ka hapur shumë vende pune. Një dekadë më parë, kjo kompani shënoi 100-vjetorin e themelimit, ku ishin të pranishëm tre breza moshash. Kështu tha presidenti i kompanisë, pasi kishin bërë një analizë për punën e saj gjatë një shekulli. Të mirat materiale ishin ndarë në tri pjesë. Njërën pjesë e kishin marrë punëtorët e angazhuar, tjetrën e kishin destinuar për tatime të shtetit dhe ajo e treta i kishte mbetur pronarit. Sipas fjalëve të tij, pjesa e fitimit që i ka takuar atij, është investuar për zgjerimin e veprimtarive të kompanisë dhe pranimin e punëtorëve të rinj. Ajo që ka mbetur është shpenzuar për shkollimin e pasardhësve të tij, ndërsa nga pasuria përmendi që kishte një shtëpi dhe dy vila. Gjithë një shekull angazhimi, për një pasuri modeste.

* * *

Ditë më parë, pasi mbusha moshën, dola në pension. Bashkë me mua dolën edhe disa të tjerë. Për këtë rast, pronari kishte organizuar një ceremoni përshëndetjeje dhe një drekë solemne. Ai foli për rritën e kompanisë, ndërsa unë kisha përgatitur një shkrim falënderues, si dhe për përshtypjet e mia për punën prej dy dekadash, për raportet tona brenda me punonjësit dhe udhëheqësit. Veçmas falënderova për pagat e mira që i merrnim për punën tonë. Këtë rast e shfrytëzova që pronarit të kompanisë, z. Hezog, t’i dhuroj disa ekzemplarë nga dy veprat e mia të botuara: librin publicistik “Medaljoni gjeopolitik” dhe romanin “Çaushi”, që doli në dritë ditë më parë. Gjatë fjalës së rastit, një fjali imja u përshëndet nga të pranishmit. Me sinqeritet thashë që Zvicra është atdheu im i dytë, ndërsa për fëmijët e mi, nipat dhe mbesat, Zvicra do të jetë atdheu i tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat