Benzina në Zvicër bie nën 2 franga për herë të parë që nga shtatori

Zvicër

Benzina në Zvicër bie nën 2 franga për herë të parë që nga shtatori

Nga: Bota sot Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 11:55
Fotoilustrim

Shoferët në Zvicër po paguajnë më pak te pompat. Sipas të dhënave të reja të Klubit Zviceran të Turizmit (TCS), më 6 nëntor çmimi mesatar i benzinës pa plumb 95 ishte 1,99 franga për litër. Është hera e parë që nga fillimi i shtatorit që ky çmim zbret nën 2 franga.

Në matjen e mëparshme të TCS-së, më 23 tetor, litri i benzinës 95 kushtonte 2,13 franga. Brenda dy javësh çmimi ra me 14 centë. Benzina 98 zbriti nga 2,24 në 2,10 franga, kurse nafta (dizeli) nga 2,42 në 2,34 franga për litër.

Rënia vjen pas një vjeshte të shtrenjtë. Më 19 shtator TCS regjistroi nivelet më të larta të vitit: 2,14 franga për benzinën 95, 2,25 për benzinën 98 dhe 2,46 franga për naftën.

Herën e fundit benzina 95 ishte nën 2 franga më 25 gusht, kur kushtonte 1,98 franga, sipas tabelës së TCS-së.

Sipas TCS-së, çmimet në Zvicër varen kryesisht nga çmimet e produkteve të naftës në tregun e Roterdamit, nga kursi i dollarit dhe nga kostot e transportit në Rin. TCS i mbledh çmimet me mostra të rastësishme. Prandaj çmimi te pompa mund të ndryshojë sipas rajonit dhe pikës së karburantit.

Nafta mbetet dukshëm më e shtrenjtë se benzina. Kjo vlen për mijëra bashkatdhetarë që udhëtojnë me makinë për punë ose që po planifikojnë rrugën drejt vendlindjes për festat e fundvitit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat