Pasaporta zvicerane pas pesë vjetësh? Zvicra voton më 28 shkurt për Iniciativën për demokraci

Zvicër

Pasaporta zvicerane pas pesë vjetësh? Zvicra voton më 28 shkurt për Iniciativën për demokraci

Nga: Bota sot Më: 3 nëntor 2026 Në ora: 11:07
Iniciativa për demokraci kërkon të drejtë natyralizimi pas pesë vjetësh qëndrimi të ligjshëm në Zvicër. (Foto ilustruese)

BERN – Më 28 shkurt 2027, votuesit zviceranë do të vendosin për iniciativën popullore "Për një të drejtë moderne qytetarie" (Demokratie-Initiative). Votimi mund ta ndryshojë rrënjësisht rrugën drejt pasaportës zvicerane për qindra mijëra banorë të huaj, mes tyre edhe për një numër të madh shqiptarësh.

Iniciativa kërkon që legjislacioni për natyralizimin të kalojë në kompetencë të Konfederatës, në vend të kantoneve dhe komunave. Sipas saj, kushdo që ka jetuar ligjërisht pesë vjet në Zvicër do të kishte të drejtë për natyralizim, pavarësisht nëse ka leje qëndrimi C apo jo, me kusht, ndër të tjera, që të mos rrezikojë sigurinë e Zvicrës dhe të ketë njohuri bazë të një gjuhe zyrtare. Sot, për natyralizimin e zakonshëm kërkohen të paktën dhjetë vjet qëndrimi dhe leja C, ndërsa kushtet ndryshojnë shumë nga kantoni në kanton.

Në krye të iniciativës, një shqiptar

Iniciativa u lansua në maj 2023 nga aleanca qytetare "Aktion Vierviertel", e themeluar në vitin 2020, ku bashkëkryetar është politikani me prejardhje shqiptare Arbër Bullakaj. Në nëntor 2024 ajo u dorëzua në Kancelarinë Federale në Bern me 104.603 nënshkrime të vërtetuara. Iniciativa mbështetet nga Partia Socialdemokrate (SP) dhe të Gjelbrit.

Sipas Bullakajt, iniciativa e forcon federalizmin si shtyllë të sistemit zviceran, por i jep fund arbitraritetit dhe shikanimit në procedurat e natyralizimit. Aleanca argumenton se, me ndryshimin, rreth 2,5 milionë banorë do të mund të angazhoheshin si qytetarë të plotë në komunat dhe kantonet e tyre.

Qeveria dhe Parlamenti thonë "jo"

Këshilli Federal u rekomandon votuesve refuzimin e iniciativës. Në prill 2026, Këshilli Kombëtar e refuzoi atë me shumicë prej dy të tretash, ndërsa në shtator të njëjtin vendim e mori edhe Këshilli i Kantoneve. Partitë e qendrës së djathtë paralajmëruan që natyralizimi të mos kthehet në një akt të thjeshtë administrativ, duke argumentuar se pasaporta duhet të jetë kurorëzimi i një integrimi të suksesshëm.

Gjatë debatit, SP, të Gjelbrit dhe Liberalët e Gjelbër (GLP) propozuan një ndryshim alternativ kushtetues, me natyralizim të lehtësuar për brezin e dytë të të huajve. Këshilli i Kantoneve, me 28 vota kundër 17, refuzoi të diskutonte dispozita alternative, prandaj iniciativa del në votim pa kundërpropozim. Ndërkohë, në Këshillin Kombëtar u refuzua qartë kërkesa e SVP-së që gjatë natyralizimit të hiqet dorë nga shtetësitë e tjera.

Çfarë do të thotë për shqiptarët

Shqiptarët janë ndër komunitetet më të mëdha të huaja në Zvicër. Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave, të raportuara në vitin 2024, në Zvicër jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë, nga të cilët mbi 90 mijë kanë pasaportë zvicerane. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e komunitetit ende nuk ka të drejtë vote në nivel federal.

Për t'u pranuar, iniciativa duhet të fitojë shumicën e dyfishtë, atë të votuesve dhe atë të kantoneve. Shqiptarët me pasaportë zvicerane do të mund të votojnë më 28 shkurt për një çështje që prek drejtpërdrejt shumë bashkëkombës të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat