Kreu i grupit parlamentar të Partisë Popullore Zvicerane (SVP), Thomas Aeschi, ka njoftuar se dëshiron të bëhet anëtar i Këshillit Federal. Ai kandidon për vendin e Guy Parmelinit dhe ka thënë se është i gatshëm të marrë Departamentin Federal të Drejtësisë dhe Policisë.
Në këtë departament bën pjesë Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM). SEM-i merret me lejet e qëndrimit, azilin dhe natyralizimin, çështje që prekin drejtpërdrejt komunitetin e madh shqiptar në Zvicër.
Aeschi është nga Baari i kantonit të Zugut dhe deputet në Këshillin Kombëtar që nga viti 2011. Ai e ka udhëhequr grupin parlamentar të SVP-së për nëntë vjet. Është anëtar i komisioneve për politikë të jashtme dhe për ekonomi e taksa, ndërsa jashtë politikës punon si konsulent i pavarur ekonomik. Aeschi ka kandiduar edhe në vitin 2015 për Këshillin Federal, por humbi në raundin e tretë pikërisht ndaj Parmelinit.
Grupi parlamentar i SVP-së do t’i propozojë kandidatët zyrtarë më 20 nëntor. Kuvendi Federal e zgjedh pasardhësin e Parmelinit më 9 dhjetor.
Burimi: Swissinfo/Keystone-SDA, Blue News