Shtetasit e Kosovës janë ndër katër komunitetet më të mëdha të huaja në kantonin e Lucernit. Kjo del nga të dhënat e reja të Zyrës së Statistikave të Lucernit (LUSTAT), të publikuara të mërkurën, më 4 nëntor.
Sipas statistikave për fundin e vitit 2025, në kanton jetonin 96.796 shtetas të huaj me vendbanim të përhershëm. Ata përbënin 21,9 për qind të popullsisë. Kjo përqindje është rritur vazhdimisht gjatë çerekshekullit të fundit: në vitin 2000 ishte 14,8 për qind. Megjithatë, Lucerni mbetet nën mesataren zvicerane, e cila arrin në 27,7 për qind.
Komuniteti më i madh i huaj është ai gjerman, me 16.534 banorë, ose 17,1 për qind të të huajve. Pas tyre renditen italianët, shtetasit e Kosovës dhe portugezët. Shtetasit e Kosovës përbëjnë rreth 8,3 për qind të popullsisë së huaj të kantonit.
Numri i shqiptarëve nga Kosova që jetojnë në Lucern është në të vërtetë më i madh. Statistika përfshin vetëm ata që mbajnë ende shtetësinë e Kosovës. Të gjithë ata që kanë marrë pasaportën zvicerane llogariten si zviceranë.
Gjatë vitit 2025, në Lucern u vendosën 6.273 persona të ardhur nga jashtë Zvicrës. Më shumë erdhën gjermanët (19,6 për qind), pastaj zviceranët e kthyer nga jashtë (11 për qind) dhe italianët (7,8 për qind). Në të njëjtën kohë, 5.126 banorë u larguan nga kantoni për të jetuar jashtë vendit.
Në fund të vitit 2025, në Lucern jetonin njerëz nga 167 shtete. Rreth 82 për qind e të huajve vinin nga Evropa, ndërsa 57,6 për qind mbanin pasaportë të një shteti anëtar të BE-së.
Gjithsej 25,3 për qind e banorëve të përhershëm kanë lindur jashtë Zvicrës. Këtu përfshihen edhe ata që kanë marrë shtetësinë zvicerane. Sipas Anketës Strukturore të Zyrës Federale të Statistikave, në vitin 2024 rreth një e treta e banorëve të Lucernit mbi 15 vjeç kishin prejardhje migrimi.