Aeroportet e Cyrihut dhe Gjenevës po përballen sërish me mungesë të karburantit për avionë. Delegati federal për furnizimin ekonomik miratoi lirimin e deri në 50.000 metra kub kerozinë nga rezervat e detyrueshme. Lirimi vlen deri në fund të nëntorit.
Sipas Zyrës Federale për Furnizimin Ekonomik (BWL), mungesa vjen nga kufizimet në rafineritë e Francës jugore dhe të Gjermanisë dhe nga pengesat në transportin hekurudhor. Furnizimi i Zvicrës me derivate nafte është i tensionuar prej muajsh, kryesisht sepse lundrimi në Rin është i kufizuar.
Kjo nuk është hera e parë. Në tetor u lëshuan 30.000 metra kub për Cyrihun. Me të dy lirimet janë përdorur gjithsej 17,4 për qind e rezervave të detyrueshme të kerozinës. Që nga shtatori rezervat janë hapur katër herë. Delegati mund të vendosë vetë për tërheqje deri në 20 për qind, ndërsa mbi këtë kufi duhet vendim i nivelit më të lartë.
Sipas SRF, deri tani nuk ka të dhëna për fluturime të anuluara apo vonesa për shkak të mungesës. Benzina dhe nafta për ngrohje janë të siguruara, por furnizimi mbetet i tensionuar.
Për mijëra bashkatdhetarë që udhëtojnë rregullisht nga Cyrihu e Gjeneva drejt Prishtinës, Tiranës e Shkupit, situata ia vlen të ndiqet. Rezervat e tanishme mbulojnë nëntorin, ndërsa vendimi për dhjetorin, kur rritet numri i udhëtimeve për festa, nuk dihet ende.