Punëtorët dhe punëdhënësit do të paguajnë më shumë për IV-në. Kushtet për pensionin e plotë të invaliditetit bëhen më të rrepta.
Këshilli Federal zviceran ka nisur në konsultim një reformë të madhe të Sigurimit Invalidor (IV). Kjo reformë do të ndikojë në pagën e çdo punëtori në Zvicër, përfshirë dhjetëra mijëra shqiptarë.
Sipas propozimit të paraqitur të mërkurën, kontributi për IV-në rritet me 0,2 pikë përqindjeje. Kostoja ndahet në mënyrë të barabartë: 0,1 pikë paguan punëtori dhe 0,1 pikë punëdhënësi. Me këtë masë, qeveria pret rreth 980 milionë franga të ardhura shtesë në vitin 2030. Për ilustrim, një punëtor me pagë bruto 6.000 franga në muaj do të paguante rreth 6 franga më shumë në muaj.
Për periudhën 2030–2039 parashikohet edhe një shtesë prej 0,6 pikësh për pjesën e të ardhurave mbi 181.440 franga në vit. Edhe kjo kosto ndahet mes punëtorit dhe punëdhënësit. Përveç kësaj, një pjesë e taksës nga kazinotë do të shkojë te IV-ja.
Ndryshimet prekin edhe vetë pensionet. Për pensionet e reja, pensioni i plotë i invaliditetit do të jepet vetëm nga 80% invaliditet, jo më nga 70% si deri tani. Personat me invaliditet 70–79% do të marrin pension proporcional. Mëditjet për personat pa detyrime mbajtjeje ulen nga 80% në 70% të pagës së fundit, por për të ardhurat e ulëta parashikohen përjashtime.
Reforma sjell edhe një ndihmë të re: të rinjtë nën 25 vjeç me sëmundje të rënda psikike do të marrin rreth 1.000 franga në muaj dhe këshillim të rregullt nga zyra e IV-së. Qëllimi është që ata të kthehen në punë, në vend që të përfundojnë herët në pension.
Sipas qeverisë, IV-ja ka deficit strukturor që nga fillimi i viteve ‘90. Numri i përfituesve të pensionit u rrit me 9.600 veta mes viteve 2019 dhe 2024. Rreth një në dhjetë përfitues është nën 30 vjeç.
Propozimi tani kalon në konsultim publik dhe më pas në Parlament. Data e hyrjes në fuqi të rritjes së kontributeve nuk është bërë ende e ditur.