Winterthur, nëntor 2025, Zvicër – Presidenti i shoqatës “Dardania” me qendër në Winterthur ka ndarë sot përmes një fotografie një mesazh të fuqishëm për ruajtjen e gjuhës dhe traditave kombëtare ndër brezat e rinj të mërgatës shqiptare.
Ky gjest simbolik vjen si dëshmi se përkushtimi ndaj kulturës dhe identitetit kombëtar vazhdon të jetojë edhe larg atdheut, duke u përcjellë brez pas brezi me dashuri e përkushtim.
Falë kontributit të madh të veprimtarit të njohur z. Shefqet Cakolli dhe bashkëpunëtorëve të tij në Zvicër, gjuha shqipe dhe trashëgimia kulturore po ruhen me kujdes e pasion tek fëmijët dhe të rinjtë e mërgatës
Përmes aktiviteteve të shumta kulturore, shkollave shqipe, koncerteve dhe ngjarjeve artistike, “Dardania” po dëshmon se fryma shqiptare është e gjallë dhe e pathyeshme.
Një rol të veçantë në këtë mision fisnik ka pasur dhe ka LAPSH-i në nivel Zvicre – edhe ate më shumë se 30 vjet, kjo pasuri e pashlyeshme e kombit, e cila për dekada me radhë ka kontribuar në ruajtjen e gjuhës, arsimit dhe identitetit tonë kombëtar. Megjithatë, përkundër rëndësisë së madhe të kësaj pune, mbështetja institucionale nga shtetet tona ende mbetet e kufizuar. Është koha që institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë të ndërhyjnë me politika konkrete dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për ta forcuar mësimin e gjuhës shqipe ndër brezat e rinj në diasporë.
Shoqatat shqiptare në Zvicër, si “Dardania” e të tjera dhe LAPSH-i, kanë vepruar në periudha të vështira, duke ruajtur gjallë ndjenjën e përkatësisë kombëtare edhe në kohë sfidash. Ato do të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim edhe sot, duke u bërë ura lidhëse mes brezave dhe vendeve tona amtare.
Në këtë rrugëtim të gjatë e të ndershëm, z. Shefqet Cakolli mbetet një figurë e palodhshme, e lidhur ngushtë me artin, kulturën dhe edukimin. Ai dhe familja e tij janë shembull i përkushtimit pa interes material – duke punuar me dashuri, vullnet e shpirt të pastër për ruajtjen e vlerave tona kombëtare.
“Nuk ka pagesa në këto aktivitete, por punë dhe përkushtim,” thekson ai për sam24.info dhe shpesh gjithandej, duke dëshmuar se dashuria për atdheun nuk matet me para, por me vepra.
Z. Cakolli, siç dihet, çdo ditë e nis me ide të reja për të forcuar jetën kulturore shqiptare në Zvicër. Ai ka paralajmëruar se diçka e re po përgatitet në ambientet e Dardanisë, një projekt që pritet të befasojë dhe gëzojë komunitetin shqiptar.
Befasitë do të zbulohen më 22 nëntor 2025, në festën e Flamurit Kombëtar dhe të Alfabetit, që do të mbahet në Winterthur – një ngjarje e madhe që pritet të bashkojë bashkatdhetarë nga mbarë Zvicra në një atmosferë krenarie e dashurie kombëtare.
Në fund, mërgata shqiptare në Zvicër mbetet mirënjohëse ndaj shtetit zviceran për mundësitë që u ka dhënë ndër vite – për t’u integruar, për të punuar, për të mësuar, por edhe për të ruajtur identitetin e vet. Zvicra është atdheu i dytë në zemrat e shqiptarëve, dhe përkushtimi i tyre ndaj këtij vendi, bashkë me dashurinë për vendlindjen, mbeten shembull frymëzues për çdo brez.