Zvicra voton më 29 nëntor: ndalohen fishekzjarrët me zhurmë?

Zvicër

Zvicra voton më 29 nëntor: ndalohen fishekzjarrët me zhurmë?

Nga: Bota sot Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 11:26
Fishekzjarrë në qiellin e natës mbi një qytet zviceran

Tetë ditë para votimit federal të 29 nëntorit, nisma popullore për kufizimin e fishekzjarrëve ka ende përkrahje të qartë te votuesit zviceranë. Sipas sondazhit të dytë të Korporatës Zvicerane të Radiotelevizionit (SRG), i realizuar nga instituti gfs.bern, 63 për qind e të anketuarve do ta mbështesnin nismën. Në sondazhin e parë, në tetor, përkrahja ishte 69 për qind.

Çfarë kërkon nisma?
Nisma kërkon që në Kushtetutën federale të shkruhet ndalimi i shitjes dhe i përdorimit të fishekzjarrëve që bëjnë zhurmë. Sipas shpjegimeve zyrtare të Konfederatës, teksti nuk përcakton saktë cilat lloje konsiderohen "me zhurmë". Këtë do ta rregullojë ligji pas votimit. Sipas SRF-së, shfaqjet e mëdha të autorizuara do të mbeten të lejuara.

Pas nismës qëndrojnë organizata për mbrojtjen e kafshëve dhe të mjedisit. Ato argumentojnë se fishekzjarrët u shkaktojnë stres kafshëve, ndotin ajrin dhe shkaktojnë lëndime e zjarre.

Qeveria dhe bizneset kundër
Këshilli Federal i rekomandon votuesit ta refuzojnë nismën. Sipas tij, përdorimi i fishekzjarrëve sot është i rregulluar mirë dhe kantonet e komunat mund të vendosin kufizime vetë. Shumë qytete i kanë kufizuar ose ndaluar tashmë fishekzjarrët në territorin e tyre. Kundërshtarët e nismës, mes tyre edhe organizatat e bizneseve të vogla, paralajmërojnë pasoja për festat private e lokale, për ndërmarrjet dhe për traditat. Ata kërkojnë rregulla të synuara në vend të ndalimit.

Në Parlament ishte propozuar një kundërpropozim më i butë, vetëm për ndalimin e petardave. Ai dështoi, prandaj më 29 nëntor votuesit vendosin vetëm për nismën.

Çfarë do të thotë për bashkatdhetarët?
Për mijëra familje shqiptare në Zvicër, fishekzjarrët janë pjesë e dasmave, e festave familjare dhe e natës së Vitit të Ri. Nëse nisma miratohet, fishekzjarrët me zhurmë nuk do të mund të shiten dhe të përdoren më në mënyrë private. Përjashtim bëjnë vetëm shfaqjet e mëdha me leje.

Më 29 nëntor zviceranët votojnë edhe për rritjen e TVSH-së për financimin e pensionit të 13-të AHV, për ligjin për materialet luftarake dhe për nismën e partisë Mitte për tatimimin e çifteve të martuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat