Një shpërthim i fuqishëm u dëgjua pak pas orës 18:30 të së shtunës, në rrugën Wüestländestrasse, në Menziken të kantonit Aargau.
Shpërthimi e shkuli derën e garazhit nga menteshat dhe dëmtoi disa automjete të parkuara në afërsi, njoftoi Policia Kantonale e Aargaut, shkruan lematin.ch, përcjell "Bota sot".
Personi që ndodhej brenda garazhit në momentin e shpërthimit arriti të dilte vetë nga objekti. Ai pësoi djegie të shkallës së mesme dhe mori ndihmën e parë në vendngjarje, përpara se të transportohej me helikopter në spital.
Zjarrfikësit e Oberwynentalit arritën ta vinin shpejt nën kontroll zjarrin. Sipas policisë, në asnjë moment nuk ka pasur rrezik për popullatën.
Garazhi pësoi dëme të konsiderueshme nga tymi dhe bloza, ndërsa edhe automjetet e parkuara para ndërtesës u dëmtuan rëndë.
Specialistët e Policisë Kantonale po përpiqen të përcaktojnë shkakun e shpërthimit dhe të zjarrit.
Njëri nga banorët e lagjes, Fadili (49), tregoi për mediat zvicerane momentet e shpërthimit.
“Banoja në katin e tretë dhe reja e tymit arrinte deri aty. Më pas dëgjova britma. Tri herë dikush kërkoi ndihmë”, tha ai duke shtuar se skenat i rikthyen kujtimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1990.
“Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Të gjithë ishin në panik. Britmat dukeshin sikur po dëgjoje dikë në momentet e fundit të jetës”, tregoi ai.