Gjenevë, 21 nëntor – Në një atmosferë të ngrohtë, festive dhe plot emocione kombëtare, shqiptarët e Gjenevës u bashkuan për të kremtuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo festë, një ndër datat më të shënuara të historisë sonë kombëtare, mblodhi bashkatdhetarë të të gjitha moshave, të cilët dëshmuan edhe një herë se dashuria për atdheun, gjuhën dhe traditat shqiptare mbetet e gjallë edhe larg vendlindjes.
Manifestimi u organizua më 21 nëntor, në sallën festive në Avanchets të Gjenevës, nga shoqatat LAPSH – Shkolla Shqipe, Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, Ansambli “Gëzuar”, Rinia Contact , FC Kosova, Shoqata “Zhegra” dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë, në bashkëpunim me SOS Medvegja.
Të bashkuar rreth flamurit kuqezi, pjesëmarrësit përkujtuan me krenari 28 Nëntorin e vitit 1912, ditën historike kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
Tingujt solemnë të Himnit Kombëtar, të kënduar së bashku nga të mëdhenj e të vegjël, shënuan një nga çastet më prekëse të kësaj mbrëmjeje.
Një hapje solemne në frymën e historisë dhe identitetit kombëtar
Programi festiv u hap nga moderatorët Valton Hyseni dhe Lumturie Zeneli, përfaqësues të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Gjenevë, të dy studentë në fushën e shkencave të edukimit.
Me një shqipe të pastër, të rrjedhshme dhe me një paraqitje dinjitoze, Valton Hyseni solli para të pranishmëve rëndësinë historike të kësaj feste, duke kujtuar sakrificat e brezave që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e kombit shqiptar.
Në fjalën e tij ai theksoi:
“28 Nëntori nuk është thjesht një datë në kalendar. Ai përfaqëson lirinë, sakrificat dhe guximin e shumë brezave që luftuan për pavarësinë tonë. Është një ditë që na kujton se liria që gëzojmë sot është fituar me shumë mund dhe se historia jonë duhet të mbetet gjithmonë pjesë e identitetit tonë.”
Ndërkaq, moderatorja Lumturie Zeneli, me një paraqitje po aq të përkushtuar, në gjuhën shqipe dhe frënge përcolli mesazhin e rëndësisë së ruajtjes së identitetit kombëtar dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në mesazhin e saj u theksua:
“Por identiteti ynë nuk jeton vetëm në historinë që kemi trashëguar. Ai jeton në gjuhën që flasim, në traditat që ruajmë dhe në vlerat që na kanë përcjellë gjyshërit dhe prindërit tanë.
Gjuha shqipe, besa, mikpritja dhe respekti për njëri-tjetrin janë pjesë e asaj që na bashkon. Edhe pse jemi rritur dhe jetojmë larg vendlindjes, rrënjët tona mbeten gjithmonë me ne.”
Këto fjalë prekëse përmblodhën më së miri mesazhin e kësaj feste: ruajtjen e lidhjes shpirtërore me atdheun dhe përcjelljen e vlerave kombëtare te brezat e rinj.
Prania e përfaqësuesve diplomatikë dhe autoriteteve zvicerane
Këtë manifestim e nderuan me praninë e tyre personalitete të diplomacisë shqiptare dhe të institucioneve zvicerane.
Në mesin e të ftuarve ishin ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Ermal Dredha; përfaqësuesja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Diana Cakolli Morina, zëvendëskonsulle; përfaqësuesi i komunës së Vernier-it, z. Mathias Buschbeck; znj. Anne Hiltpold, përfaqësuese e autoriteteve kantonale të Gjenevës, si dhe miku i njohur i komunitetit shqiptar, z. Ueli Leuenberger.
Të pranishëm ishin gjithashtu mësues, prindër, veprimtarë të komunitetit, përfaqësues të shoqatave dhe shumë bashkatdhetarë që kishin ardhur për të festuar së bashku.
Prania e personaliteteve zvicerane dëshmoi marrëdhëniet e mira të komunitetit shqiptar me institucionet vendore dhe rëndësinë e bashkëjetesës, integrimit dhe respektit të ndërsjellë.
Fëmijët e Shkollës Shqipe – zemra e festës së Flamurit
Një nga pjesët më të bukura dhe më emocionuese të manifestimit ishte programi artistik i nxënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Gjenevë.
Nën drejtimin e nxënëseve Ana Isufi dhe Alma Bekteshi, skena u mbush me zërat e ëmbël të fëmijëve, të cilët përmes poezive, recitimeve dhe këngëve shprehën dashurinë për gjuhën amtare, flamurin kuqezi dhe atdheun e të parëve.
Rreth 40 fëmijë morën pjesë në programin festiv, duke krijuar çaste të paharrueshme për prindërit, mësuesit dhe të gjithë të pranishmit.
Në fytyrat e tyre lexohej gëzimi, ndërsa në sytë e tyre shkëlqente krenaria që po recitonin në gjuhën shqipe, gjuhën e prindërve dhe të gjyshërve të tyre.
Në këtë program u dalluan me recitimet e tyre nxënësit:
Dila Bekteshi, Buna Zeqiri, Morea Zeqiri, Greta Selimi, Aurela Jusufi, Olta Mehmetaj, Maltina Fondaj, Elio Rexha, Tiana Halimi, Klea Dula, Elea Rexhepi, Elena Hamiti, Eliana Arifi, Eliot Arifi, Luna Sulejmani, En Pelioni Kercelli, Albiona Qamili, Anila Salihu, Anea Shabani, Liana Talamish, Lea Sadiku, Elias Ismajli, Adrian Reka, Eden Zeneli, Nolan Salihu, dhe Benjamin Bekteshi.
Poezitë e interpretuara nga fëmijët i kushtoheshin flamurit kombëtar, Vlorës historike, 28 Nëntorit, gjuhës shqipe dhe dashurisë për vendlindjen.
Çdo varg i shqiptuar prej tyre përcillte një mesazh të fuqishëm: gjuha shqipe jeton dhe do të vazhdojë të jetojë edhe në zemër të diasporës.
Meritë të veçantë për përgatitjen e këtij programi kishin mësueset e përkushtuara Lumnije Emini, Brikena Qafa-Osmani, Fatime Bllaca dhe Antigona Haxhiu, të cilat, me durim, dashuri dhe përkushtim, kishin punuar me nxënësit edhe jashtë orarit të rregullt mësimor.
Puna e tyre dëshmoi se mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk është vetëm një proces arsimor, por edhe një mision i rëndësishëm kombëtar e kulturor.
Në përfundim të paraqitjes, fëmijët falënderuan prindërit dhe të pranishmit, ndërsa salla shpërtheu në duartrokitje të gjata e të merituara.
Muzikë, këngë dhe tradita shqiptare në skenën festive
Pas paraqitjes së nxënësve të Shkollës Shqipe, programi vazhdoi me Ansamblin “Gëzuar”.
Të veshur me kostume të bukura kombëtare shumëngjyrëshe, valltarët e vegjël u ngjitën në skenë mes duartrokitjeve dhe entuziazmit të publikut.
Vallet tradicionale shqiptare, ritmet karakteristike dhe lëvizjet harmonike krijuan një atmosferë të veçantë, duke sjellë në Gjenevë një pjesë të pasurisë sonë folklorike.
Festës i dhanë gjallëri edhe të rinjtë e grupit “Rinia Contact”, të cilët, me energjinë dhe përkushtimin e tyre, e shndërruan sallën në një hapësirë të vërtetë gëzimi dhe bashkimi.
Fëmijë, të rinj dhe të rritur kënduan, vallëzuan dhe duartrokitën së bashku, duke dëshmuar se muzika dhe traditat shqiptare janë ura të fuqishme që lidhin brezat me njëri-tjetrin.
Mikpritja shqiptare – një tjetër vlerë e kësaj mbrëmjeje
Rreth orës 19:00, të pranishmit patën mundësi të shijonin edhe mikpritjen tradicionale shqiptare.
Një hapësirë e veçantë e sallës ishte përgatitur me ushqime tradicionale, byrekë, fli, ëmbëlsira dhe pije të ndryshme, duke krijuar një ambient të ngrohtë familjar.
Një falënderim i veçantë u takon të rinjve vullnetarë, të cilët me përkushtim, zell dhe mirësjellje u kujdesën për shërbimin dhe pritjen e bashkatdhetarëve.
Angazhimi i tyre ishte një dëshmi e bukur e solidaritetit dhe e frymës së bashkëpunimit që karakterizon komunitetin shqiptar në Gjenevë.
Vlerësimi për komunitetin shqiptar Mesazhe urimi
Në pjesën zyrtare të manifestimit, të ftuarit e nderit iu drejtuan të pranishmëve me fjalë përshëndetëse dhe mesazhe urimi për Festën Kombëtare.
Zëvendëskonsullja e Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Diana Cakolli Morina, foli për rëndësinë historike të 28 Nëntorit 1912, duke theksuar vlerën e kësaj date për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë.
Përfaqësuesi i komunës së Vernier-it, z. Mathias Buschbeck, uroi komunitetin shqiptar për festën dhe vlerësoi praninë dhe kontributin e tij në jetën shoqërore e kulturore të Gjenevës.
Me një mesazh përshëndetës iu drejtua të pranishmëve edhe znj. Anne Hiltpold, duke nderuar këtë ngjarje të rëndësishme për komunitetin shqiptar.
Një fjalë të veçantë mbajti ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Bernë, z. Ermal Dredha.
Në përshëndetjen e tij, ai vuri në dukje rëndësinë e 28 Nëntorit si simbol të lirisë, bashkimit dhe identitetit kombëtar.
Ambasadori theksoi veçanërisht rolin e shoqatave shqiptare në diasporë për ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave kombëtare e njerëzore.
Vëmendje të posaçme i kushtoi punës së LAPSH-it dhe mësuesve të Shkollës Shqipe, të cilët prej vitesh kontribuojnë në ruajtjen e gjuhës amtare te brezat e rinj.
Në këtë kuadër, ai shprehu mirënjohje edhe për angazhimin e Liburn Mehmetajt dhe bashkëpunimin me prindërit shqiptarë në Zvicër, në shërbim të një qëllimi të përbashkët: ruajtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar te fëmijët e diasporës.
Zonja Nerxhivane Ferati na nderoi me një interpretim të ndjerë të poezisë “Liria”, duke përcjellë emocione të veçanta te të gjithë të pranishmit. Me fjalë të fuqishme dhe recitim plot ndjenjë, ajo na kujtoi vlerën e shenjtë të lirisë, sakrificat e bëra për të dhe rëndësinë e ruajtjes së saj ndër breza.
Një interpretim i bukur dhe prekës, që meritoi duartrokitje dhe mirënjohje të veçantë. Faleminderit, zonja Nerxhivane Ferati, për këto çaste të paharrueshme!
Muzika shqiptare i dha shkëlqim mbrëmjes
Programi artistik vazhdoi me një këngëtarin e mirënjohur Bardh Ramadani dhe Ansamblin “Gëzuar”, të cilët sollën para publikut këngë dhe valle nga tradita e pasur muzikore shqiptare.
Interpretimet e tyre krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe plot gjallëri, duke bërë që festa të vazhdonte me këngë, valle dhe duartrokitje.
Mirënjohje për studentët shqiptarë – krenaria e komunitetit në Gjenevë
Një moment i veçantë dhe domethënës i kësaj mbrëmjeje ishte ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve për studentët shqiptarë që kishin përfunduar studimet gjatë vitit.
Mirënjohjet u ndanë nga kryetari i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, z. Nasuf Nuhiu, si shenjë vlerësimi për përkushtimin, sukseset akademike dhe arritjet e të rinjve shqiptarë në fusha të ndryshme të shkencës dhe arsimit.
Studentët e vlerësuar ishin:
- Miranda Ismajli – Master në Shkencat e Edukimit.
- Ardit Daci – Master në Financë.
- Gerta Mulaj – Master në Mjekësi Dentare.
- Mal Bislimi – Master në Financë.
- Flutura Jashanica – Certifikatë Plotësuese në Arsimin Fillor.
- Fatjeta Ramadani – Master në Studime Evropiane.
- Leotrim Ramadani – Master në Shkencat e Gjuhës.
- Erta Dulahu – Master në Financë.
- Elira Sylejmani – Master në Farmaci.
- Jeton Haxha – Master në Financë.
- Dea Llugiqi – Master në Bioinformatikë.
- Artina Kastrati – Master në të Drejtën Penale dhe Civile.
- Gentrit Alija – Master në Analitikë Biznesi.
- Arijella Hadri – Specializim në Avokati.
- Edon Ibrahimi – Master në Shkenca Ekonomike.
- Lirie Namani – Doktoratë në Shkencat e Edukimit.
- Milot Qorraj - Master në Financë.
Vlerësimi i këtyre të rinjve përbënte një nga mesazhet më të rëndësishme të mbrëmjes: komuniteti shqiptar në Zvicër nuk dallohet vetëm për ruajtjen e traditave dhe të identitetit kombëtar, por edhe për sukseset e brezave të rinj në arsim, shkencë dhe jetën profesionale.
Arritjet e tyre janë një burim krenarie për familjet shqiptare dhe një shembull frymëzues për fëmijët që sot ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në Gjenevë.
28 Nëntori – një festë që bashkon brezat dhe ruan rrënjët kombëtare
Manifestimi i organizuar në Gjenevë për nder të 28 Nëntorit ishte shumë më tepër sesa një mbrëmje festive.
Ai ishte një dëshmi e gjallë e lidhjes së shqiptarëve me historinë, gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre.
Në një sallë ku u bashkuan fëmijët e Shkollës Shqipe, studentët, prindërit, mësuesit, artistët, veprimtarët e shoqatave dhe përfaqësuesit institucionalë, u përcoll një mesazh i qartë: largësia nga atdheu nuk e zbeh dashurinë për të, përkundrazi, e bën edhe më të çmuar përpjekjen për të ruajtur rrënjët tona.
Një mirënjohje e veçantë u takon të gjitha shoqatave organizatore, mësuesve, prindërve, artistëve, të rinjve vullnetarë dhe secilit që kontribuoi në realizimin e kësaj feste.
Në fund, ajo që mbeti në kujtesën e pjesëmarrësve nuk ishin vetëm këngët, vallet dhe duartrokitjet, por sidomos zërat e fëmijëve që recituan shqip, krenaria e studentëve të diplomuar dhe ndjenja e përkatësisë që bashkoi të gjithë të pranishmit.
Sepse kudo që flitet shqip, kudo që valëvitet flamuri kuqezi dhe kudo që fëmijët mësojnë gjuhën e të parëve, aty vazhdon të jetojë shpirti i kombit shqiptar.
Gëzuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë!
Nexhmije Mehmetaj