Zhvillime dramatike në LDK! Vendoset për kryeministrin, analisti jep parashikimin: Ky është favoriti kryesor – ka disa fjalë për Abdixhikun e Shalën

Aktuale

Zhvillime dramatike në LDK! Vendoset për kryeministrin, analisti jep parashikimin: Ky është favoriti kryesor – ka disa fjalë për Abdixhikun e Shalën

Nga: N. H Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 10:23
Lidhja Demokratike e Kosovës

Është konfirmuar se kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, sot do të mbajë mbledhje me Kryesinë e partisë në orën 14:00.

Në këtë mbledhje pritet të diskutohet dhe caktohet emri i kandidatit për kryeministër nga kjo parti për zgjedhjet e parakohshme, data e të cilave do të vendoset pasi të publikohet Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, duke folur për takimin e rëndësishëm të Kryesisë së LDK-së që pritet të zhvillohet sot, ka thënë se rruga është që kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, të propozohet si kandidat për kryeministër nga ky subjekt.

Image
Faton Mehmeti

“Derisa Lidhja Demokratike e Kosovës mendon se kryeministri Avdullah Hoti ka punuar mirë dhe se është në rritje atëherë e rruga është që kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti të dominohet. Çdo propozim tjetër bie ndesh me deklarimet e LDK-së. Kryetari Isa Mustafa besoj se e mbështet kryeministrin Hoti për nominin, derisa brenda Kryesisë ka zëra që mendojnë se duhet të kandidohet një figurë më popullore siç është ajo e Lumir Abdixhikut apo Anton Qunit”, ka deklaruar analisti politik, Faton Mehmeti, të mërkurën për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai deklaron për gazetën “Bota sot”, se ky moment nuk është në favor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, andaj, edhe mendon se Abdixhiku e Shala nuk do të pranojnë të ‘digjen’ nga këto zgjedhje.

“Në anën tjetër edhe Lutfi Haziri ka shprehur gatishmërinë. Megjithatë, duke pasur parasysh se momenti i zgjedhjeve nuk është në favor të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk besoj se Lumir Abdixhiku apo Kujtim Shala do të pranonin të ‘digjen’”, shprehet ai.

Në fund, Mehmeti thekson se gara e nxehtë do të zhvillohet mes Anton Qunit, Lutfi Hazirit e Avdullah Hotit, por se ky i fundit ka edhe mbështetjen e Isa Mustafës dhe nënkryetarëve tjerë të partisë.

“Kështu që gara mbetet mes Avdullah Hotit, Anton Qunit dhe Lutfi Hazirit. Megjithatë besoj se Hoti ka më shumë gjasa, pasi ka mbështetjen edhe të kryetarit Isa Mustafa, pastaj Agim Veliut, Haki Rugovës etj. Nëse nuk ka ndonjë befasi, ky është parashikimi më i logjikshëm nga mbledhja e sotme e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha në fund, njohësi i çështjeve politike në vend, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

Dje u raportua se kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti i ka gjasat më të mëdha për t’u nominuar si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që pritet të mbahen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.

Pasi që, u tha se kryeministri në detyrë Avdullaj Hoti e ka mbështetjen edhe të liderit të partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ndërkohë, derisa në opinion si kandidatë të mundshëm për t’u nominuar nga LDK-ja për kryeministër janë përmendur edhe emrat e Lutfi Hazirit, Kujtim Shalës e Lumir Abdixhikut, merret vesh se në organet vendimmarrëse të kësaj partie asnjëherë nuk është diskutuar për emra konkret.

E në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në një nga mbledhjet e Kryesisë së partisë është ankuar në atë se si nuk e ka mbështetur e gjithë partia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat