A do ta festojnë Vitin e Ri sonte Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi? Flasin nga Specialja

Aktuale

A do ta festojnë Vitin e Ri sonte Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi? Flasin nga Specialja

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 16:23
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi; foto ilustrim nga "Bota sot"

Figurat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtaret të Kosovës po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë të Holandës. Ata që udhëhoqën luftën për liri dhe pavarësi, sonte do të mund të mblidhen për ta festuar ndërrimin e vitit, duke i lënë për pak qelitë e tyre ku secili qëndron i vetmuar.

Gjykata Speciale, që i akuzon ata për krime lufte e krime kundër njerëzimit, do t’ua mundësojë ish-udhëheqësve politikë e ushtarakë të UÇK-së që ta festojnë Vitin e Ri. Kështu është shprehur të enjten, zyrtarja për informimim e këtij institucioni, Angela Griep.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të komentojmë për ndonjë veprimtari specifike që të paraburgosurit ndërmarrin në institucionin e paraburgimit. Në përgjithësi, Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit e Dhomave të Specializuara siguron mirëqenien e të burgosurve në një mjedis të sigurt dhe të qetë. Të paraburgosurve sigurisht do t’u sigurohet mundësia për ta festuar Vitin e Ri në përputhje me Rregullat dhe Rregulloret e institucionit të paraburgimit”, tha Griep.

Motiv shtesë për të festuar do të jetë ditëlindja e ish-zëdhënësit të UÇK-së dhe ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili pas orës 00:00 do ta ketë përvjetorin e 70 të lindjes së tij.

Shtatë të akuzuarit e parë të Speciales, pesë prej të cilëve me aktakuzë të konfirmuar, po mbahen ende në paraburgim, pasi pothuajse secilit prej tyre i është refuzuar kërkesa që të mbrohen në liri.

Ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa, ishte i pari nga ish-anëtarët e UÇK-së që u arrestua dhe transferua në paraburgimin e Gjykatës Speciale më 24 shtator. Ai akuzohet për një sërë veprash që cilësohen si krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.

Dy ditë më vonë u arrestuan edhe dy ish-krerët e OVL-së së UÇK-së, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj. Ndonëse ende s’ka aktakuzë për ta, ata akuzohen për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Të fundit që u arrestuan dhe u dërguan në Hagë janë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi.

Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.

Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.

Më 3 gusht të vitit 2015, me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Pas një seance të gjatë, 82 deputetë kishin votuar pro themelimit të Gjykatës Speciale, pesë kishin qenë kundër, ndërsa një kishte abstenuar.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat