Arben Vitia uron vitin e ri

Aktuale

Arben Vitia uron vitin e ri

Nga: A.SH Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 16:25
Arben Vitia

Ish-ministri i Shëndetësëisë, Arben Vitia, ka uruar vitin e ri 2021.

Ai ka shkruar se, viti 2020 ka qenë një vit që ka ndërruar në jetët tona, duke filluar nga pandemia e cila të dashurit tanë i ndau nga ne.

“Sot në këtë ditë që e mbyll 2020-tën, reflektojmë e urojmë më të dashurit tanë për një fillim të ri e të mbarë ashtu siç premtojmë që ditët e ardhshme do t'i mbushim plot punë e përpjekje së pari për ata që kanë më së shumti nevojë e për ata që sytë i kanë nga ne plot shpresë e kurajo”, ka shkruar Vitia në Facebook.

Shkrimi në Facebook:

Tre qind e gjashtëdhjetë e pesë ditë të 2020 patën më shumë ndodhi sesa mijëra ditë të viteve të tjera.

Shumë nga të dashurit tanë u ndanë nga ne. Plot të tjerë kaluan nëpër vështirësi të jashtëzakonshme.

Mijëra mjekë shqiptarë e kudo në botë u ballafaquan me beteja mbinjerëzore. Por dija dhe vullneti, shkenca dhe etika njerëzore ngadhënjyen mbi pandeminë e këtij shekulli.

Shumëçka ka ndërruar në jetët tona. Muajt e parë të 2020 na vunë në provë aftësinë tonë për solidaritet dhe durim. Më shumë se kurrë vumë re se nuk ka diçka më sublime se krahu i mikut që të mban teksa rrëzohesh, se përpjekja kolektive për secilin e për të gjithë, se vullnetarët që ndihmojnë.

Sot në këtë ditë që e mbyll 2020-tën, reflektojmë e urojmë më të dashurit tanë për një fillim të ri e të mbarë ashtu siç premtojmë që ditët e ardhshme do t'i mbushim plot punë e përpjekje së pari për ata që kanë më së shumti nevojë e për ata që sytë i kanë nga ne plot shpresë e kurajo.

Qoftë Viti i ri 2021 ngjarja që na jep shpejtësinë e aspiratave tona dhe ngjyrat e shpresave tona.

Urime të gjithë shqiptarëve kudo që ata janë sonte!

Urime të gjitha grave, vajzave, nënave e motrave, që më së shumti u sfiduan këtë vit të vështirë!

Urime nxënësve dhe studentëve, e paçin një vit të ri në klasa e auditore pa pengesa!

Urime punonjësve të shëndetësisë, e bardha e tyre ndriçoftë përpjekjet tona!

Urime shumë të dashur miq Vitin e ri 2021, me përqafimin e munguar të këtij viti që po lëmë pas!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat