Tubimet zgjedhore – Inspeksoni në Prishtinë deri sot ka shqiptuar 11 gjoba për subjektet politike

Aktuale

Tubimet zgjedhore – Inspeksoni në Prishtinë deri sot ka shqiptuar 11 gjoba për subjektet politike

Më: 11 shkurt 2021 Në ora: 12:57
Tubimet zgjedhore

Subjektet politike po vazhdojnë të grumbullojnë një numër të madh të qytetarëve, në ambiente të hapura e të mbyllura, pavarësisht thirrjeve të eksperteve shëndetësor që të respektohen masat antiCOVID.

E që nga data 2 shkurt, subjektet politike kanë mbajtur fushatë zgjedhore në pothuajse të gjitha komunat e Kosovës, mirëpo përveç Inspeksionit në Prishtinë dhe në Prizren, komunat tjera nuk kanë dënuar partitë për organizimin e tubimeve në kundërshtim me ligjin për pandeminë COVID-19.

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri konfirmoi se deri tani kanë shqiptuar 11 gjoba, ku një gjobë është dy mijë euro.

“Deri tani janë shqiptuar 11 gjoba. Tri gjoba për Lidhjen Demokratike të Kosovës, tri gjoba për Partinë Demokratike të Kosovës, dy gjoba për Lëvizjen Vetëvendosje, dy gjoba për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe një gjobë për Nismën Socialdemokrate”, ka thënë ai.

Tubimet e subjekteve politike janë përcjellë me numër të madh të qytetarëve, ku shumë prej tyre nuk kishin as maska mbrojtëse.

Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se vetëm në 24-orët e fundit kanë shqiptuar 515 gjoba për qytetarët.

Theksojmë se sipas masave të fundit të miratuara nga Qeveria e Kosovës, në ambiente të mbyllura nuk lejohet tubimi më shumë se 30 qytetarë, kurse në ambiente të hapura lejohet deri në 50.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat