Kjo është pasuria e 4 kandidatëve të LDK-së për kryetar të partisë

Aktuale

Kjo është pasuria e 4 kandidatëve të LDK-së për kryetar të partisë

Më: 10 mars 2021 Në ora: 17:28
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Me kandidaturën e Besian Mustafës, tashmë LDK-ja i ka të konfirmuara katër pretendentë për të marrë udhëheqjen e partisë më të vjetër parlamentare në vend. Por, cila është pasuria e tyre?

Lutfi Haziri – 1,851,000 Euro

Lutfi Haziri i Gjilanit ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në seksionin e Pasurisë së Paluajtshme, plot 1 milion e 851 mijë euro.

E gjithë kjo pasuri përbëhet nga 13 toka me një sipërfaqe shumë të madhe hektarësh, dhe një banesë.

Nga të gjitha këto, Haziri i ka trashëguar nga prindi 12 prej tyre, dhe ka arritur ta blejë vetëm një tokë të vogël me vlerë prej 15 mijë eurosh. Kjo tokë është në emër të bashkëshortit/es të tij.

Po ashtu, ai ka blerë edhe një banesë me 192 metra katrorë me 100 mijë euro.

Përkundër pasurisë së jashtëzakonshme të paluajtshme, ai ka vetëm një veturë që vlen 3 mijë euro.

Përveç këtyre pasurive, ai ka deklaruar edhe 226 mijë para të gatshme.

Por, keq me pasuri nuk qëndrojnë as tre kundër-kandidatët e tjerë të Hazirit.

Besian Mustafa – 129,000 Euro

Besian Mustafa ka si pasuri të paluajtshme dy banesa, njërën në vlerë të 73 mijë eurove dhe një tjetër në vlerë të 56 mijë eurove.

Të dyja këto janë “pronë familjare”.

Mustafa i ka rreth 23 mijë euro para të gatshme në bankat e Kosovës.

Ai e vozit një veturë “Peugeout 308” të blerë në vitin 2012 për 6 mijë euro.

Anton Quni – 372,000 Euro

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, po ashtu ka goxha pasuri. Ai ka një banesë që vlen 160 mijë euro, një shtëpi që vlen 200 mijë euro dhe një oborr që vlen 12 mijë euro.

Z.Quni del se nuk ka veturë fare në pronësi. Gruaja e tij e ka një Volkswagen Jetta që vlen 11 mijë euro.

Lumir Abdixhiku – 440,000 Euro 

Ish ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Lumir Abdixhiku, po ashtu ka pasuri të paluajtshme të konsiderueshme. Vlera totale e tri llojeve të pasurisë të deklaruara shkon në 440 mijë euro.

Ai ka blerë një shtëpi me sipërfaqe 214 metra katrorë të blerë nga kursimet dhe kredia bankare në vitin 2014 për 200 mijë euro.

Ai ka trashëguar një shtëpi tjetër nga prindërit që ka vlerën e 150 mijë eurove, dhe po ashtu ka një tokë pune në vlerë të 90 mijë eurove.

Gruaja e z.Abdixhiku vozit një veturë Mercedes që kushton 28 mijë e 500 euro.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat