Gërvalla: Jam nënshtetase e Kosovës e jo e Gjermanisë

Aktuale

Gërvalla: Jam nënshtetase e Kosovës e jo e Gjermanisë

Më: 7 maj 2021 Në ora: 10:55
Donika Gërvalla

Deklarimi i Ambasadorit të Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ndaj sulmeve kundrejt Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, nxiti reagimin e deputetëve të opozitës.

Ishte deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila shkroi në Facebook se është normale që ambasadori gjerman të mbrojë Gërvallën pasiqë kjo e fundit, sipas Shoshit, ka nënshtetësi të Gjermanisë.

“Normal që i del në mbrojtje Ambasadori Gjerman qytetares së Gjermanise – sepse atë detyrë e ka. Çështja është – kush po u del në mbrojtje qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

Por në një përgjigje, ministrja Gërvalla ka treguar se ajo nuk mbanë nënshtetësi të Gjermanisë.

“Për arsyet që ju i keni theksuar, pra për shkak se marrja e nënshtetësisë gjermane nënkupton heqjen dorë nga nënshtetësia e Republikës së Kosovës, unë asnjëherë nuk kam parashtruar kërkesë për marrjen e nënshtetësisë gjermane. Jam nënshtetase e Kosovës që nga fillimi, por me pasaportë e pajisur që nga fillimet e UNMIK-ut”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja Gërvalla, që ditëve të fundit ishte cak i kritikave të ashpra nga opozita, ka shtuar se që nga vitet 80-ta posedon nënshtetësi të Shqipërisë, të cilën nuk e ka ripërtri që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Por ajo thotë se të gjitha udhëtimet i bën me dokumente të udhëtimit të Kosovës.

“Njëkohësisht jam nënshtetase e Republikës së Shqipërisë që nga vitet e 80-ta. Pasaportën e Shqipërisë nuk e kam ripërtërirë më asnjëherë që nga Pavarësia formale e Kosovës. Me pak fjalë, jam nënshtetase e Republikës së Kosovës dhe qarkulloj me dokumentet e udhëtimit të kësaj Republike dhe me leje qendrimi gjermane. Të gjitha këto fakte nuk po i bëj të ditur për herë të pare”, ka thënë Gërvalla për Reporteri.

Kujtojmë që ditëve të fundit Ministrja Gërvalla është sulmuar nga partitë opozitare për shkak të deklarimeve të saj rreth ish-krerëve të UÇK-së.

Madje PDK tashmë i ka kërkuar dorëheqjen ministers së Punëve të Jashtme nga posti i kryediplomates.

E këto sulme ambasadori gjerman i cilësoi si personale e të papranueshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat