Osmani: Statusi i Kosovës është përcaktuar njëherë e përgjithmonë më 2008, ashtu si edhe kufijtë

Aktuale

Osmani: Statusi i Kosovës është përcaktuar njëherë e përgjithmonë më 2008, ashtu si edhe kufijtë

Më: 13 maj 2021 Në ora: 17:51
Osmani takohet me Pahor

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim homologun e saj slloven Borut Pahor. Pahor ndodhet për vizitë në vendin tonë pas publikimit të “non-paper” në shtetin e tij slloven muajin e kaluar. Pas takimit që patën Osmani dhe Pahor janë deklaruar edhe para mediave.

“Kisha nderin që sot në këtë ditë të veçantë të pres presidentin e Sllovenisë, shkëlqesinë e tij z.Pahor në Republikën e Kosovës.Si mik i madh i vendit s’është hera e parë që na viziton dhe s’është hera e parë që shprehë përkrahje për Republikën tonë të re. Kësaj radhe ishte vizitë pune që të bëjmë përgatitjet e nevojshme për procesin Brdobrinit, që shënon 10 vjetorin e këtij procesi më 17 maj ku unë do të përfaqësojë Kosovën. Diskutuam për temat që priten të trajtohen aty, me theks nevojën për bashkëpunim rajonal si dhe nevojën për përshpejtim të integrimit evropian të gjithë rajonit tonë.E sigurova atë që Republika e Kosovës e ka prioritet integrimin evropian, sepse është vullnet i popullit tonë dhe reformat që duhet të ndërmerren si pjesë e këtij procesi nuk i shohim si imponim pasi janë në të mirë të qytetarëve dhe kanë të bëjnë me sundim të ligjit, me arsimin e shëndetësinë më të mirë.E ka të bëjë me paqen, për të cilën populli ynë ka kontribuar. E theksuam qartë se Kosova ka përmbushur kriteret për liberalizim të vizave, madje dyfishin e tyre dhe është në një pritje të gjatë ku qytetarët tanë për fat të keq po mbahen të mbyllur për dallim nga të tjerët që kanë përfituar nga ky proces”, tha Osmani.

Tutje presidentja theksoi se dhënia e liberalizimit të vizave do të ishte iniciativë e mirë sepse do ta ngriste kredibilitetin e BE-së brenda Kosovës dhe më gjerë.

“Sa i përket pandemisë, e njoftova presidentin slloven se akoma kemi nevojë për vaksina dhe shpresoj shumë se Sllovenia do të ndihmojë Kosovën qoftë edhe në mënyrë simbolike, si afirmim i miqësisë së fortë pasi siç thotë edhe populli ynë “miku i mirë gjendet në ditë të vështira” e Sllovenia ka ditur ta bëjë këtë e shpresoj ta bëjë edhe në përballje me pandeminë. Presim që Sllovenia të vazhdojë me bashkëpunim ekonomik e tregtar, poashtu edhe në fushën e mbrojtjes, arsimit e kulturës. Sllovenia si partner në BE por edhe i rajonit ka mbështetur çdo proces që e shtyn Kosovën përpara”, shtoi ajo.

Në fund presidentja Osmani theksoi se kufijtë e Kosovës janë përcaktuar njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008.

“Unë e potencova gatishmërinë që Kosova të jetë pjesë e dialogut në Bruksel gjithnjë duke pasur parasysh se statusi i Kosovës është përcaktuar njëherë e përgjithmonë më 17 shkurt 2008 dhe kufijtë e vendit tonë janë përcaktuar njëherë e përgjithmonë, por Kosova do të ulet në tavolinë për të trajtuar çështje që vërtet kanë rëndësi për njerëzit tanë, siç është ajo e personave të zhdukur’, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat