Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë, ka ritheksuar qëndrimin e shtetit helen se pozicioni i saj karshi njohjes së Kosovës mbetet i pandryshuar.
Ata gjithashtu konfirmuan se kryediplomati do të vizitojë Kosovën me 4 qershor.
Mediat serbe ditë më parë kanë shkruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden, po bën presion të ashpër mbi qeverinë greke për njohjen e Kosovës.
Media ka pyetur MPJ-në greke, nëse ky shtet mund të ndryshojë pozicionin e saj në lidhje me pavarësinë e Kosovës?
E në përgjigjen e saj, diplomacia greke ka potencuar se ky shtet nuk e njeh Kosovën dhe pozicioni i saj mbetet i pandryshuar.
E në të njëjtën kohë kanë theksuar se shteti helen ka qasje konstruktive ndaj Prishtinës, duke përmendur bashkëpunimin e ngushtë me Zyrën për Tregti dhe çështje Ekonomike që Kosova ka hapur në vitin 2019 në Athinë.
Ndërsa kanë shtuar se shteti helen ka ndjekur një qasje konstruktive ndaj Prishtinës.
“Siç e dini shumë mirë, Greqia nuk e njeh Kosovën dhe pozicioni i saj mbetet i pandryshuar. Në të njëjtën kohë, dihet që Greqia ka ndjekur një qasje konstruktive ndaj Prishtinës, që nga viti 2019 ku ka edhe një “Zyre të Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike të Kosovës në Athinë” dhe punon me Kosovën për avancimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Në këtë drejtim, duke synuar avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë dypalësh dhe lehtësimin e funksionimit të Zyrës, pa implikuar aspektet e lidhura me statusin, kjo zyrë është riemëruar si “Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë”, thuhet në përgjigjen e MPJ-së greke.
Tutje nga MPJ greke kanë thënë se ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, do të vizitojë Kosovën në fillim të qershorit.
Gjithashtu shteti helen ka ritheksuar se e mbështetë Kosovën rreth liberalizimit të vizave dhe në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian.