PDK-ja i rikandidon katër kryetarë tjerë

Aktuale

PDK-ja i rikandidon katër kryetarë tjerë

Më: 6 qershor 2021 Në ora: 08:34
PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vendim t’i rikandidojë katër kryetarë komunash në të cilat qeveris, për zgjedhjet e tetorit.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga kjo parti, ku është sqaruar vendimi i Kryesisë Qendrore.

“Partia Demokratike e Kosovës, respektivisht Kryesia Qëndrore, ka qenë mëse e qartë në janar të këtij viti kur ka vendosur publikisht që të rikandidojë të gjithë kryetarët e komunave në të cilat qeverisë ajo”, ka njoftuar PDK.

PDK ka njoftuar se do t’i rikandidojë kryetarët e katër komunave.

“PDK e ka rikandiduar Agim Aliun në Ferizaj, Naim Ismajlin në Shtime dhe njëjtë pritet të bëjë edhe me Ramiz Lladrovcin në Drenas dhe Besim Ilazin në Kaçanik”, thuhet në njoftim.

Ky njoftim i PDK-së është bërë pasi dega e PDK’së në Drenas ka zgjedhur Driton Ajazin që të kandidojë për kryetar të Drenasit dhe jo kryetarin aktual të komunës, Ramiz Lladrovcin.

Pas kësaj erdhi edhe njoftimi i partisë ku u tha se Lladrovci do të jetë kandidat për Drenasin, madje kjo u quajt çështje e mbyllur.

“Javën e kaluar, kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj u ka sqaruar edhe në takime private kryetarit të Degës së Drenasit, Sejdi Hoxhës dhe deputetit Ferat Shala, se kandidatura e Ramiz Lladrovcit për Komunën e Drenasit është çështje e mbyllur”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat