Publikohet biseda e Komandant Drinit me kolonelin serb, e ndërmjetësuar nga gjermanët

Aktuale

Publikohet biseda e Komandant Drinit me kolonelin serb, e ndërmjetësuar nga gjermanët

Nga: P.R Më: 14 qershor 2021 Në ora: 19:53
Ekrem Rexha, i njohur si Komandant Drini

Faqja në facebook “Ekrem Rexha Komandant Drini”, ka publikuar bisedën të cilën e kishte zhvilluar Komandant Drini me kolonelin serb, Deliq, bisedë kjo që ishte ndërmjetësuar nga koloneli gjerman, Bescht.

“Si rezultat i atyre bisedimeve, të nesërmen forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe tërësisht u tërhoqën nga Prizreni para skadimit të afatit të ultimatumit të dhënë nga ana e Komandant DRINIT🇦🇱”, shkruan në faqen “Ekrem Rexha Komandant Drini”.

Postimi i plotë:

Në mëngjesin e hershëm të datës 14 qershor, u vendosën kontaktet e para me komandën e trupave gjermane të KFOR-it, të cilat atëkohë përfaqësoheshin nga koloneli Bescht, me të cilin komandant DRINI zhvilloi bisedimet në meset e fabrikës së fijeve sintetike ‘‘Progres‘‘, në prezencën e forcave të mekanizuara të brigadës 549 serbe.

Si rezultat i atyre bisedimeve, të nesërmen forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe tërësisht u tërhoqën nga Prizreni para skadimit të afatit të ultimatumit të dhënë nga ana e Komandant DRINIT🇦🇱

➡️ Cila ishte rrjedha e bisedimeve të komandant Drinit me kolonelin serb ndërmjetësuar nga koloneli gjerman Bescht?

🇦🇱DRINI: Forcat serbe kanë afat që deri në orën 17.00 të datës 15 qershor 1999 të tërhiqen plotësisht nga Prizreni në drejtim të Brezovicës, në të kundërtën pas skadimit të këtij afati nuk do t’ju lejohet tërheqja dhe do të sulmohen nga të gjitha anët.

DELIQ: Tërheqja e forcave të bëhet ne afat prej 5 ditësh duke u thirrur në marrëveshjen e Kumanovës.

🇦🇱DRINI: Në marrëveshjen e Kumanovës nuk është përfaqësuar UÇK-ja, prandaj kjo marrëveshje për neve nuk është obligative.

Pas kësaj përgjigje koloneli gjerman pyet: Kur janë futur në qytet forcat e UÇK-se dhe sa janë ato?

🇦🇱DRINI: Një pjesë e forcave të UÇK-se kanë qenë vazhdimisht në qytet dhe numri i forcave tona është i mjaftueshëm për t’i shkatërruar forcat serbe.

Kjo përgjigje ishte e mjaftueshme për kolonelin gjerman për t’i sqaruar oficerit serb situatën në të cilën ndodheshin, gjë e cila rezultoi ditën e nesërme kur forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe u tërhoqën para skadimit të ultimatumit të dhënë nga ana e komandant Drinit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat