Ramush Haradinaj me akuza të rënda për kryeministrin Kurti

Aktuale

Ramush Haradinaj me akuza të rënda për kryeministrin Kurti

Më: 16 qershor 2021 Në ora: 11:02
Ramush Haradinaj

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e konsideron të rrezikshme e te gabuar çasjen e kreut të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në procesin e dialogut me Serbinë. Haradinaj ka thënë se në takimin e djeshëm përballë palës serbe në Bruksel, Kurti është dashur të shkojë me vetëm një pikë, njohjen reciproke.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e quan Kurtin “‘mashtrues ordiner”.

Haradinaj: Kurti është mashtrues ordiner dhe po mashtron popullin

“Është pikërisht ajo që kemi paralajmëruar rreziku nga mashtruesi Kurti, pra në këtë rast Kurti është mashtrues ordinder dhe po mashtron popullin e Kosovës me një çasje të rrezikshme në dialog, duke mos kërkuar substancën e paraparë për të cilën ne e synojmë dialogun por duke u shpërndarë në tema të panevojshme[...]Nuk është ky dialog, është humbje kohe dhe mashtrim për Kosovën, pra nuk është fokusimi të çështja kryesore që ka mbet njohja reciproke të cilën e ka theksuar presidenti Biden qartë në letrën e vet”, thotë Haradinaj.

Sipas politikanit opozitar, Kurti po e rikthen dialogun në fillim dhe po kërkon të krijojë marshënie të re ekonomike me Serbinë, më të avancuar se nisma e njohur si Minishengen.

Haradinaj: Kurti po e rikthen dialogun në fillim

“Është një qasje e rrezikshme e kryeministrit Kurti, pra e gabuar, ai po e rikthen dialogun në fillim, po kërkon me kriju marrëdhënie të re ekonomike tregtare pra me pikën 1 mes Kosovës dhe Serbisë, më të avancuara se Mini-shengeni, para njohës, që është një rrezik dhe njëkohësisht është proces që përfshinë BE-në dhe që stërzgjatet, po ashtu e ka të gabuar qasjen për një marrëveshje paqe, ajo që i mbetet Kosovës me Serbinë është njohja, kryeministri ish dashtë pas gjithë kësaj kohe më në fund të shkojë me vetëm një pikë të rendit të ditës, njohjen reciproke dhe çështjet që lidhen me njohjen por jo edhe ta relativizojë çështjen e njohjes me çështje të CEFTA-s dhe SEFTA-s”, thotë Haradinaj.

Të martën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë për herë të parë në takim përballë presidentit serb, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Pas takimit në Bruksel, Kurti ka shkruar se ka shprehur gatishmërinë për dialog konstruktiv dhe njohje të ndërsjellë.

Shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk janë pajtuar për agjendën e dialogut ndërkohë ka bërë publike propoizmet e tij të shtruara aty.

“1.Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. 2.Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty. 3.Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. 4.Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ka thënë Kurti.

Sipas kryeministrit Kurti, pala serbe nuk është përgjigjur për propozimi e parë, ndërkohë te pikat e tjera i ka refuzuar.

Takimi i radhës në Bruksel pritet të mbahet me 25 korrik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat