​Rahoveci zgjidhet komuna më transparente, Prishtina radhitet në vendin e shtatë

Aktuale

​Rahoveci zgjidhet komuna më transparente, Prishtina radhitet në vendin e shtatë

Më: 23 korrik 2021 Në ora: 13:20
Foto nga vendi i ngjarjes

Top pesë komunat më transparente dhe më llogaridhënëse për vitin 2020 vlerësohet të jenë Rahoveci, Lipjani, Drenasi, Gjakova dhe Mitrovica e Jugut. Ndonëse, Lipjani dhe Drenasi zënë vend të njëjtë të përmbushjes së indikatorëve për transparencë.

Raporti “Transparometrit komunal 2020 & Transparenca e komunave në retrospektivë” i publikuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI), shpalos të gjeturat e nivelit të transparencës së institucioneve lokale në 38 komunat e Kosovës bazuar në 48 indikatorë vlerësues të përzgjedhur konform obligimeve ligjore dhe udhëzimeve administrative që rregullojnë̈ punën dhe funksionimin e institucioneve të qeverisjes lokale.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi theksoi se transparenca dhe llogaridhënia janë parimet kryesore për qeverisje të mirë. Teksa ka shtuar se aktualisht MAPL ka dy projekte kapitale të cilat do të kontribuojnë në avancimin e transparencës komunale.

Krasniqi: Transparenca parimi kryesor i qeverisjes së mirë

“Transparenca është një nga aspektet më të rëndësishme në procesin e demokratizimit të shtetit, njëherësh parimi kryesor i qeverisjes së mirë. Është obligim I institucioneve publike për të komunikuar me qytetarët dhe për të ndarë informacionet për të promovuar punën e tyre. Aktualisht Ministria e Pushtetit Lokal ka dy projekte kapitale të cilat do të kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e transparencës”, theksoi Krasniqi.

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi theksoi se komuna të cilën e udhëheq ai viteve të fundit ka progres në rritjen e transparencës falë angazhimit të zyrtarëve komunal.

Kryetari Latifi theksoi se në vazhdimësi do të jenë të përkushtuar që të jenë të hapur me qytetarët.

Latifi: Do të jemi në vazhdimësi të përkushtuar që të jemi të hapur me qytetarët

“Ne do të jemi në vazhdimësi të përkushtuar që të jemi të hapur me qytetarët, në pajtim të plotë me frymën e ligjeve dhe nga viti në vit që kemi obligim dhe jemi të përcaktuar që të kemi rritje të dukshme progresive për sa i takon transparencës dhe llogaridhënies. Sepse qeverisja e hapur dhe llogaridhënëse është e mirë e përgjithshme për Kosovën. Mendoj që jo të jetë replikë mes komunave, por të ketë garë pasi që në këtë rast e ndihmon qeverisjen lokale”, tha Latifi.

Kryetari i Lipjanit njëherësh edhe kryetar i Asociacionit të Komunave, Imri Ahmeti se vlerësoi se viti 2020 me Covid-19 ka qenë sfidues për komunat në përmbushjen e indikatorëve për transparencë komunale.

Megjithëse ai vlerësoi se ky vlerësim është një ndihmesë e mirë e komunave për të synuar ngritjen e performancës në gjithë indikatorët.

Ahmeti: Viti 2020 ka qenë sfidues për komunat

“Është një ndihmesë e mirë e komunave për të synuar ngritjen e performancës në gjithë indikatorët që zakonisht KDI-ja I ka në target të matë. Ajo që komunave iu shërben për të përmirësuar dhe avancuar transparencën në të gjithë këta indikator që janë matur. Në emër të komunave jam mirënjohës KDI-së për punën e deritanishme, por besoj që këto matje është dashur me pasur parasysh vitin e pandemisë. Viti 2020 ka qenë një vit i kufizimeve të mëdha sidomos për tubimet apo diskutimet dhe i debateve siç kanë qenë dëgjimet buxhetore, sepse e kemi pasur të ndaluar me pasur tubime publike për rregullativat e caktuara[…]Si do që të jetë viti i kaluar ka qenë një lloj pengese i këtyre indikatorëve për të cilët KDI-ja ka dhënë vlerësimin e vet”, u shpreh Ahmeti.

Ismet Kryeziu drejtor ekzekutiv i KDI-së theksoi se transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike janë parakushtet kyçe për qeverisje të mirë dhe demokratike.

Kryeziu: Përveç nxitjes së transparencës mund të replikojnë për efikasitetin në punë

“Përveç nxitjes së transparencës dhe përmes vlerësimit me të cilin ne e kemi bërë me indikatorët sa ka transparometri ka për qëllim që përmes këtij krahasimi n këto 38 komuna të mundësoj një lloj replikimi për suksesin dhe efikasitetin e vet në punë dhe në nxitje të transparencës”, theksoi Kryeziu.

Ndërsa, Naim Cahani nga KDI derisa ka shpalosur raportin tha se përkundër sfidave të paraqitura për shkak të Covdi-19 nga të dhënat rezulton që komuna e Rahovecit edhe në vitin 2020 ka pasur progres në përmbushjen e indikatorëve me 93 pikë të vlerësimit të përgjithshëm krahasuar me dy vitet paraprake duke u renditur si komuna e parë në nivel vendi.

Cahani tha se Prishtina është vlerësuar me 79 pikë të përmbushjes së indikatorëve.

Cahani: Rahoveci komuna e parë më 90 pikë për përmbushjen e indikatorëve të transparencës

“Vlerësimi transparencës për vitin 2020 janë pesë top komunat që kanë performuar ose që kanë treguar rezultate më të mira në kuadër të përmbushjes së indikatorëve, është komuna e Rahovecit me 90 pikë apo 75 përqind të përmbushjes së indikatorëve, pastaj është komuna e Drenasit me Lipjanin ku kanë pikë të njëjta nga 88 pikë apo 67 përqind në përmbushjen e indikatorëve, pastaj renditet Gjakova dhe Mitrovica e jugut, Gjakova me 86 pikë dhe Mitrovica e Jugut me 85 pikë. Komunat të cilat kanë arritur nga 75 deri në 83 pikë janë komuna e Pejës me 83 pikë, Prishtina 79 pikë, Hani i Elezit 78 pikë, Vushtrria 77 pikë, Skenderaj 76 pikë, si dhe Ferizaj 75 pikë”, u shpreh Cahani.

KDI vlerëson se duke qenë të hapura dhe transparente, institucionet publike i kontribuojnë nxitjes së bashkëpunimit në mes të qytetarëve dhe institucioneve, duke mundësuar kështu pjesëmarrje më të madhe në vendimmarrje. Rrjedhimisht ndikojnë në rritjen e besimit të publikut në institucione.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat