​Osmani, Konjufca dhe Kurti ngushëlluan familjet e viktimave të aksidentit në Kroaci

Aktuale

​Osmani, Konjufca dhe Kurti ngushëlluan familjet e viktimave të aksidentit në Kroaci

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 18:42
Pamje nga vendi i ngjarjes

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë vizituar për ngushëllime familjet e personave që kanë humbur jetën në aksidentin në Slavonski Brod të Kroacisë.

Siç thuhet në një komunikatë për media, krerët shtetërorë u kanë shprehur ngushëllime familjarëve, duke i siguruar ata se do të kenë mbështetje institucionale.

Ata kanë përmendur edhe ndihmën e pakursyer të shtetit kroat për t`u dalë në ndihmë të aksidentuarve, duke falënderuar strukturat shtetërore për angazhimin.

Osmani ka theksuar se një fatkeqësi si kjo është dhimbje për gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa ka uruar shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit.

Kryetari i Kuvendit, Konjufca, theksoi se dhimbja për mërgimtarët që humbën jetën është e madhe, ngase erdhën për vizitë në familjet e tyre për ta gjetur gëzimin, por e gjetën vdekjen.

Ndërsa, kryeministri Kurti tha se kjo tragjedi nuk është vetëm e familjeve, por e të gjithë kombit. Sipas tij, dhimbja duhet të kthehet në forcë për ta përballuar më lehtë këtë humbje të madhe.

Në ditën e parë të vizitave, të tre liderët institucionalë kanë vizituar familjet e Ahmet Hoxhës, Anjeza Bellanicës, Kujtim Kastratit, Leonora Kolemekshajt, Naser Sylemetajt, Erlinda Binakajt, Valentina Zhubi-Binakajt dhe Gjylë Malokut, të cilët nuk i mbijetuan aksidentit të rëndë në Slavonski Brod të Kroacisë.

Vizitat ngushëlluese do të vazhdojnë të premten edhe në familjet e tjera.

Ndryshe, dhjetë persona humbën jetën dhe mbi 40 të tjerë u lënduan kur një autobus i linjës Frankfurt-Prishtinë të dielën e kaluar doli nga rruga dhe u përmbys.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat